“Dëshmor i Atdheut” për ish-drejtuesin e Policisë së Shtetit, Artan Cuku

TIRANË, 9 prill /ATSH – I. Vata/ – Ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Artan Cuku nderohet me titullin “Dëshmor i Atdheut”.

Ceremonia e dhënies së titullit “Dëshmor i Atdheut” për ish-drejtuesin e Policisë Artan Cuku u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Brendshme, ku merrnin pjesë familjarë të dëshmorit, punonjës të policisë, si dhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj që i dorëzoi titullin familjarëve.

Në fjalën e tij, gjatë ceremonisë së dhënies së shpalljes “Dëshmor i Atdheut” për ish-drejtuesin e Policisë Artan Cuku, ministri i Brendshëm Lleshaj ju drejtua familjarë të “Dëshmorit të Atdheut” Artan Cuku, bashkëshorte Marjola, fëmijët nuk i shoh këtu, por po i përmend me emër, Arbjon dhe Amelia, të afërm të tjerë, vëllezër, pjesëtarë të tjerë të familjes, të nderuar miq e shokë të Artan Cukut, të nderuar punonjës të Policisë së Shtetit, zonja dhe zotërinj pjesëmarrës, të nderuar pjesëtarë të misioneve ndërkombëtare të asistencës pranë Policisë së Shtetit për nderimin e dëshmorit të Atdheut.

“Sot jemi mbledhur për të përjetuar së bashku një moment nderimi dhe reflektimi për jetën e Artan Cukut, një prej drejtuesve të Policisë së Shtetit, i cili u vra për shkak të detyrës, më 8 prill 2017, dhe që me vendim të Komisionit Qendror të Statusit të “Dëshmorit të Atdheut” është nderuar me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” , tha ai.

Po ashtu, Lleshaj theksoi se vrasësi i paguar i Artan Cukut u kap nga Policia e Shtetit në 11.06.2017, kurse porositësi i këtij krimi të shëmtuar është arrestuar më 29.12.2018 në Athinë, prej nga pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë ku do të duhet të përballet me drejtësinë.

“Ne jemi mbledhur këtu sot për të nderuar jetën, veprën dhe sakrificën sublime të një oficeri të Policisë shqiptare, i cili nga sot i bashkohet radhës së “Dëshmorëve të Atdheut”, duke merituar respektin dhe mirënjohjen e përjetshme të të gjithë shqiptarëve. Me këtë akt të thjeshtë dhe simbolik, ne i shprehim respektin dhe mirënjohjen gjithë familjarëve dhe të afërmve të Artan Cukut, të cilët kanë patur nderin, por dhe fatin për ta lindur, rritur, edukuar dhe shoqëruar përgjatë jetës së tij të shkurtër, por dhe të lavdishme”, theksoi Lleshaj.

Më tej Lleshaj vlerësoi punën dhe sakrificën e punonjësve të Policisë së Shteti në kryerjen e detyrës.

“Në të njëjtën kohë, me nderimin e Artan Cukut ne shprehim mirënjohjen dhe respektin e thellë për gjithë Policinë e Shtetit shqiptar dhe për dëshmorët e saj të shumtë. Radha e gjatë e dëshmorëve që Policia e Shtetit i ka dhënë Shqipërisë është jo vetëm një tregues i vlerave të larta dhe i shërbimeve të jashtëzakonshme që ky institucion i ka dhënë vendit tonë të përbashkët, por dhe një thirrje e madhe për reflektim ndaj gjithë shoqërisë shqiptare. Numri i lartë  i dëshmorëve të Policisë së Shtetit duhet të shërbejë si një thirrje për përkushtim, profesionalizëm, ndershmëri dhe dinjitet për çdo punonjës të saj dhe posaçërisht për ata të rinj që po bashkohen përditë e më shumë në radhët e strukturave të Policisë. Ky numër i lartë, madje jashtëzakonisht i lartë dëshmorësh, duhet të shërbejë edhe si një thirrje për reflektim të thellë, përgjegjësi të lartë ndaj çdo shqiptari, ndaj shoqërisë në tërësi, ndaj klasës politike. Shqipëria ka nevojë për më shumë policë, por për asnjë dëshmor nga radhët e saj”, tha ministri.

Në fund ministri Lleshaj garantoi se Policia e Shtetit do të vazhdojë të jetë në krye të detyrës për të përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve.

“Si një organizatë në shërbim të qytetarëve, Policia e Shtetit do të vijojë përpjekjet e saj për ta përmirësuar përherë e më shumë marrëdhënien me qytetarët, për të përmirësuar shërbimet dhe për të merituar përherë e më shumë besimin e tyre. Besimi i qytetarëve mund të meritohet vetëm përmes përkushtimit, shërbimit me nder, profesionalizmit dhe patriotizmit. Shembulli i Artan Cukut dhe i qindra dëshmorëve të tjerë të Policisë së Shtetit është një hipotekë e rëndë, por dhe e paçmueshme krenarie dhe vlerash të larta, që Policia e Shtetit do të ndjekë dhe vlerësojë në shërbimin e saj ndaj qytetarëve dhe ndaj sigurisë publike të vendit. I përjetshëm qoftë kujtimi i “Dëshmorit të Atdheut”, Artan Cuku!”, tha në fund Lleshaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.