Basha: Nuk ka zgjedhje, as dialog pa largimin e qeverisë

TIRANË, 9 prill /ATSH – I. Vata/ – “Sondazhet tregojnë se PD është shumicë absolute dhe se nuk do të ketë dialog, as zgjedhje pa larguar qeverinë”, ka deklaruar sot kryetari i PD-së Lulzim Basha në Kukës dhe Kurbin.

Basha ka nisur këtë javë një tur kombëtar me qëllim bashkimin e sa më shumë shqiptarëve në protestën e 13 prillit.

Ai tha se të gjitha sondazhet tregojnë se PD është shumicë absolute.

“Të gjitha sondazhet e Partisë Demokratike, të aleatëve tanë, të kundërshtarit tonë politik dhe ato të ashtuquajturat të pavarura, konfirmojnë se sot Partia Demokratike është shumicë absolute dhe, bashkë me koalicionin tonë, është gati që në një proces të lirë zgjedhor të marrë përgjegjësitë e drejtimit dhe qeverisjes së Shqipërisë drejt destinacionit tonë europian. Shumica dërrmuese e shqiptarëve, nëse zgjedhjet do të mbaheshin nesër do t’i jepnin mandatin qeverisës Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj. Por, miqtë e mi, zgjedhjet nuk do të mbahen nesër. Dhe zgjedhje në Shqipëri nuk do të ketë pa garantuar kushtet dhe standardet që kurrë më krimi dhe kriminelët, hajdutët dhe oligarkët, të mos diktojnë një tjetër fallco-parlament dhe një tjetër fallco-qeveri”, tha ai.

Po ashtu, Basha thekson se nuk do pranojmë dialog pa rrëzimin e qeverisë.

“Asgjë nuk do të përparojë, asnjë dialog nuk do të nisë, pa larguar shkaktarin dhe arkitektin e narko-shtetit. Dhe mesazhi që kumbon kudo është ky: Nuk do të ketë më demokraci fallco, nuk do të pranojmë më parlament fallco, nuk do të pranojmë më drejtësi fallco, nuk do të pranojmë më ekonomi fallco. Është koha për Shqipërinë e demokracisë së vërtetë, lirisë së vërtetë, Shqipërinë e vlerave të vërteta europiane.”

Kreu i opozitës u bëri thirrje shqiptarëve t’i bashkohen protestës së 13 prillit në protestën e radhës në Tiranë. /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.