Reduktimi i kredisë me probleme, rregullohet bashkëpunimi midis bankave

TIRANË, 8 prill /ATSH/ – Zyra Private e Kreditit, do të bëjë vlerësimin e kredisë në gjithë sistemin bankar shqiptar dhe synon reduktimin e kredisë me probleme.

Krijimi i kësaj zyre është diskutuar prej kohësh, në kuadër të planit të masave që ka miratuar Banka e Shqipërisë për uljen e nivelit të kredive me probleme.

Banka e Shqipërisë, bën të ditur se përpos detajeve mbi kreditë, përparësi merr ecuria e procesit të trajtimit jashtëgjyqësor të kredimarrësve të përbashkët në vështirësi financiare.

Ndaj projektrregullorja e sapohartuar synon të përcaktojë mënyrën e bashkëpunimit ndërmjet bankave, me qëllim krijimin e kushteve për trajtimin jashtëgjyqësor të kredimarrësve të përbashkët, që janë në vështirësi financiare.

“Qëllimi i rregullores është reduktimi i kredive me probleme dhe mbajtja nën kontroll e cilësisë së portofolit të kredisë, duke nxitur trajtimin e kredimarrësve në vështirësi financiare, nëpërmjet një bashkëpunimi të strukturuar dhe efektiv ndërmjet bankave. Kjo draft-rregullore është hartuar në frymën e ndëshkimit për bankat që nuk dëshirojnë të përfitojnë nëse nënshkruajnë marrëveshjen kuadër, si dhe për të tjerët që me nënshkrimin nuk do të jenë në përputhje me të gjitha kërkesat e marrëveshjes kuadër Mbikëqyrës”, vlerëson BSH. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.