Manastirliu: Akses më të madh për komunitetin Rom në Shëndetësi

TIRANË, 8 prill/ATSH-A.Fortuzi/ – Qeveria shqiptare është e angazhuar maksimalisht për t’i dhënë komunitetit Rom më shumë akses në shëndetësi, mbështetje për strehim, arsim gjithëpërfshirës.

Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, përmes një mesazhi të publikuar të hënën, shprehet se “Qeveria shqiptare është e angazhuar për më shumë akses në shërbime shëndetësore për komunitetin Rom, mbështetje për strehim, arsim gjithëpërfshirës, pa lënë mënjanë dialogun ndërkulturor, si mënyra më e mirë për të ndarë vlerat dhe traditat, që e bëjnë komunitetin ku ne jetojmë, më të larmishëm dhe ku padyshim, komuniteti rom ka pjesën e tij në këtë mozaik”.

Mesazhi i saj nis me shembullin e të rinjve Alketa, Saedi dhe Xhensoni, si advokuesit më të mirë të komunitetit rom. “Me energjinë dhe shpirtin plot ngjyra të të rinjve si Alketa, Seadi dhe Xhensoni, advokuesit më të mirë të të drejtave të komunitet rom, është e mundur të rrëzohen barrierat, duke promovuar kulturën Rome dhe dialogun ndërkulturor”, bënë të ditur Manastirliu.

“Me ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, z. Luigi Soreca, përfaqësuesen e përhershme të UNDP në Shqipëri, znj. Lymia Eltayeb, kolegen Elva Margariti, zv/kryetarin e bashkisë së Tiranës z. Seferi dhe me të rinjtë Romë, mora pjesë me kënaqësi në ekspozitën “1000 vjet histori Rome”, për të promovuar kulturën e pasur Rome”, tha ajo.

“Qeveria shqiptare është e angazhuar për më shumë akses në shërbime shëndetësore për komunitetin Rom, mbështetje për strehim, arsim gjithëpërfshirës, pa lënë mënjanë dialogun ndërkulturor, si mënyra më e mirë për të ndarë vlerat dhe traditat, që e bëjnë komunitetin ku ne jetojmë, më të larmishëm dhe ku padyshim, komuniteti rom ka pjesën e tij në këtë mozaik. Bahtalo o Rromano Dive!”, tha Manastirliu, duke mbyllur mesazhin e saj me një shprehje të komunitetit rom.

Mesazhi i Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, vjen edhe me foto nga ekspozita e artistit Sead Kazanxhi “1000 vjet histori Rome”- në Ditën Ndërkombëtare të Romëve.

Gjatë aktivitetit u vu theksi te rëndësia e ruajtjes së vlerave kulturore të komunitetit Rom dhe integrimi i tyre, si pjesë e pandarë e axhendës europiane të Shqipërisë drejt Bashkimin Europian.

Qeveria shqiptare për respektimin e të drejtave të komuniteteve, si të drejta të njeriut, ka hartuar dhe Planin Kombëtar të Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve 2016-2020, për të përmirësuar kushtet e jetesës, aksesin në shërbime për komunitetin Rom, si edhe integrimin e tyre në shoqëri.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.