INSTAT: Ulja e çmimit të prodhimeve bujqësore, zbriti inflacionin në 1,1%

TIRANË, 8 prill /ATSH/ – Rritja e prodhimit bujqësor vendas, solli rënie të çmimeve në tregjet e vendit dhe ndikoi që inflacioni në muajin mars 2019, të zbresë në nivelin 1,1%.

INSTAT bëri të ditur se, ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në mars 2019, krahasuar me shkurt 2019, është ulur me 0,3%.

Sipas institutit të statistikave, rritja vjetore e çmimeve në muajin mars u ndikua kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,72%, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,21%, ndërsa grupi “Hotele, kafene dhe restorante” dha një kontribut pozitiv me 0,04%.

Çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan”, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me 0,03% secili dhe grupet “Shërbimi arsimor” dhe “Transporti” kanë kontribuar me 0,02%.

Krahasuar me muajin mars 2018, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,0%, pasuar nga grupet “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,2%, “Argëtim dhe kulturë” me 1,1%, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,0% secili, “Shërbimi arsimor” me 0,7 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Transporti” me 0,5 % secili, etj.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “Shëndeti” u ulën me 0,4%. Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 15,7%, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 2,8%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 2,1%, etj. Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “fruta” u ulën me 7,8%, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 0,7%, “bukë dhe drithëra” me 0,6 %, etj.

Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Shkurt 2019, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u ulën me 0,8 %, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,6 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,2 %. Ndërsa, çmimet e grupit “Transport” u rriten me 0,5 %, pasuar nga grupet “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,2 %, “Pije alkoolike dhe duhan”, me 0,1 %, etj. /e.xh//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.