Gjirokastër/ Prefekti Aliaj inspekton punimet në Qafën e Pazarit

TIRANË, 8 prill /ATSH/ – Prefekti i qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj ka zhvilluar ditën e sotme një vizitë në objektin e rikonstruksionit të kalldrëmeve të Qafës së Pazarit në Gjirokastër, punimet e të cilit po zbatohen nga firma e kontraktuar.

Qëllimi i kësaj vizite ishte për të parë nga afër punën në terren si dhe problematikat e shqetësimet e disa bizneseve që operojnë në këtë zonë. Konkretisht puna po vazhdon në disa fronte, si në hapjen e kanaleve anësore në segmentin Qafa e Pazarit – Kala, betonimin e kanaleve në segmentin Sheshi “Çerçiz Topulli” – Qafa e Pazarit si dhe në ndërtimin e disa pusetave në këto segmente. Një vëmendje e veçantë ju kushtua edhe brigadës së ndërtimit të kalldrëmeve e cila ka filluar punë përpara disa ditëve në segmentin ish-Poliklinika – Qafa e Pazarit.

Nga vëzhgimet e bëra në vend si dhe nga opinioni i qytetarëve të ndryshëm rezulton se punimet janë duke u realizuar me një cilësi të mirë. Nga ana e Prefektit të qarkut është kërkuar që të përmirësohet edhe më shumë cilësia e kalldrëmeve.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit aktualisht është në proces zbatimi të rehabilitimit dhe restaurimit të rrugëve prej kalldrëmi të Qafës së Pazarit, që përfaqëson zemrën e qendrës historike të qytetit të Gjirokastrës. Kjo zonë është një nga destinacionet më të vizitueshme dhe të preferuara në Gjirokastër, e konsideruar si porta hyrëse drejt qendrës historike.

FSHZH gjithashtu do të ndërhyjë edhe në rehabilitimin e 6 shesheve/hapësirave publike të ndodhura gjithashtu në zonën e projektit dhe të lidhura në mënyrë integrale me rrugët e kalldrëmit që do të restaurohen.

 

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.