Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOTO/ Fundjava tërheq turistët e aventurës në Kanionet e Osumit

TIRANË, 8 prill /ATSH/ – Fundjava në Kanionet e Osumit ka mirëpritur turistët e aventurës të cilët kanë shijuar pamjet e mrekullueshme që ofrojnë këto kanione, ndërsa kanë ushtruar edhe rafting.

Turistët e shumtë që vizituan Kanionet e Osumit ishin me kombësi të ndryshme, si italianë, maqedonas, gjermanë ku nuk mungonin as turistët vendas të cilët shijuan një fundjavë ndryshe me adrenalinën që të ofron ky sport.

Gjithashtu, turistët pasi përjetuan një eksperiencë të bukur me pamjet spektakolare që ofrojnë këto kanione shijuan kuzhinën tradicionale vendase dhe mikpritjen e banorëve të zonës.

Kanionet e Osumit, kanë një gjatësi prej 26 km dhe ndodhen 450 m mbi nivelin e detit. Mendohet se ato janë formuar 2-3 milionë vite më parë nga erozioni i ujit që depërton thellë në tokë. Përgjatë gjithë grykës ka mjaft kalime nëntokësore dhe shpella të paeksploruara.

Pamjet që të ofrojnë kanionet e Osumit janë mahnitëse, gjithë lartësi, kontraste për sa i përket dritës, bimësi e larmishme, një atraksion i vërtetë për turistët vendas dhe të huaj. /a.a/j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version