Etnomuzikologu Haxhi Dalipi, Qytetar Nderi i Gjirokastrës (pas vdekjes)

TIRANË, 7 prill/ATSH/- Bashkia e Gjirokastrës ka vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi”, (pas vdekjes) etnomuzikologun gjirokastrit Haxhi Dalipi. Në ceremoninë e rastit e cila u zhvillua të dielën në shtëpinë e shkrimtarit Ismail Kadare, morën pjesë personalitete të njohura të muzikës gjirokastrite, letërsisë dhe artit.

Në takim u promovua edhe libri i Haxhi Dalipit “Duke përjetuar këngën labe”.

Kryebashkiakja e Gjirokastrës, Zamira Rami u shpreh e kënaqur që pati mundësinë të dorëzonte vlerësimin nga Bashkia dhe këshilli bashkiak me titullin “Qytetar Nderi” (pas vdekjes) për etnomuzikologun gjirokastrit Haxhi Dalipi.

“Promovimi i librit të tij “Duke përjetuar këngën labe” që u zhvillua në shtëpinë e shkrimtarit Ismail Kadare mblodhi bashkë gjirokastritë me kontribute në fusha të ndryshme të letërsisë, artit dhe kulturës”, theksoi kryetarja e bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami.

Haxhi Dalipi u lind më 20 shkurt të vitit 1943 në Gjirokastër, ku kreu shkollën e mesme e studioi për flaut. Më pas ndoqi studimet e larta pranë Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë për kompozicion dhe dirigjim. Pas përfundimit të studimeve, për vite me radhë drejtoi Ansamblin “Labëria” në Vlorë, duke e bërë atë një nga ansamblet më të mira në vend.

Në vitin 1988 krijoi orkestrën simfonike dhe filarmoninë e qytetit. Punoi si dirigjent kori në Vlorë, si pedagog në Akademinë e Arteve dhe Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar.

Haxhi Dalipi ka dhënë kontributin e vet në etnomuzikologjinë shqiptare, ka krijuar dhe ri-orkestruar shumë këngë e valle popullore shqiptare, nga të gjitha trevat e Shqipërisë, që nga Kosova, Tropoja, Shqipëria e Mesme e Labëria, duke i sjellë rifreskuara për publikun. Ka shkruar romanca, balada, rapsodi e opereta për fëmijë. Haxhi Dalipi mbante titullin “Artist i Merituar”. U nda nga jeta më 15 shtator 2006. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.