Emigracioni i paligjshëm, kërkesat për azil u ulën me 20% në 2018-ën

TIRANË, 8 prill/ATSH-A.Fortuzi/ – Shqipëria ka ndërmarrë fushata intensive kundër emigracionit të paligjshëm dhe falë bashkëpunimit edhe me partnerët ndërkombëtarë, rezulton se në vitin 2018 ka patur një ulje me 20% të kërkesave për azil, krahasuar me vitin 2017.

Zv/ministrja e Punëve të Brendshme, Rovena Voda zhvilloi sot një takim në Tiranë me Mark Harbers, ministër për Migracionin e Holandës. Në fund ta takimit, gjatë një konference për mediet, zv/ministrja Voda theksoi se në vitet e fundit ka një ulje të këtij fenomeni, ndërsa shtoi se bashkëpunimi mes dy vendeve është pozitiv.

“Vërej me kënaqësi, që në dy-tre vitet e fundit kurba e azilkërkuesve shqiptarë drejt vendeve të BE-së është ulur ndjeshëm, por mbetet ende sigurisht shumë për t’u bërë”, – tha Voda. E falenderova Sekretarin e Shtetit, Mark Harbers për mbështetjen që qeveria holandeze ka dhënë për Shqipërinë ndër vite dhe veçanërisht në përballimin e fenomenit të migrimit të paligjshëm. Niveli i bashkëpunimit mes dy vendeve tona shumë pozitiv dhe me rezultate konkrete. Po ashtu falenderova z. Harbers për mbështetjen që Holanda i ka dhënë vendit tonë në procesin e integrimit në BE. I bëra të ditur z. Harbers paketën e masave që po zbaton vendi ynë për parandalimin e migrimit të parregullt, jo vetëm drejt Holandës, por dhe vendeve të tjera të BE”, – tha Voda.

Sipas saj, “Shqipëria bënë pjesë në listën e vendeve të origjinës së sigurtë, prandaj është e pamundur që një shtetas shqiptar të përfitojë azil në Holandë, apo vende të tjera të BE-së. Që prej muajit korrik 2017, Polica e Shtetit ka përforcuar masat në çdo pikë të kalimit kufitarë. Ndërsa janë ndërmarrë dhe penalitete për kundravajtjet, sidomos për prindërit që tentojnë të shpien të pashoqëruar fëmijë të mitur në hapësirën Shengen”, – tha Voda.

“Qeveria shqiptaren, – shtoi zv/ministrja, – i ka kushtuar vëmendje të posaçme frenimit të fenomenit të azilantëve të parregullt. Kemi ndërmarrë fushata intensive e sensibilizuese në të 12 qarqet e vendit. Kemi proceduar penalisht favorizuesit apo nxitësit e këtij fenomeni, pra të azilit të paligjshëm”, – shtoi ajo.

“Kemi arrestuar punonjës policie që kanë shpërdoruar detyrën, duke lejuar kalimin kufitar të atyre personave që kanë pasur probleme në dokumentacion, apo në të tjera natyra, – tha Voda. – Kemi goditur grupet kriminale që ishin të përfshira në veprimtari të tillë të paligjshme. Në këtë kuadër janë zhvilluar dy operacione shumë të suksesshme kundër grupeve kriminale që merreshin me kontrabandimin e personave drejt BE-së apo SHBA, siç ishte operacioni ‘Rruga e gabuar’, ku rezultuan dhjetëra të arrestuar”.

Me tej zv/ministrja Voda shtoi se “vërej me kënaqësi se masat e marra kanë dhënë efekt pozitiv të dukshëm. Në vitin 2018 sipas të dhënave të ‘Eurostat’ kemi një ulje, në krahasim me vitin 2017, me rreth 20% të kërkesave për azil. Edhe këtë vit autoritet tona kufitare kanë zbatuar me rigorozitet planin e masave, mjafton të kujtoj faktin se u është refuzuar falja 8400 shtetasve shqiptarë për mungesë dokumentacioni”.

“Ministria e Brendshme ka hartuar dhe po implementon një plan veprimi të gjerë për parandalimin e fenomenin të azilit në BE dhe Shengen. Ne jemi të angazhuar dhe në bashkëpunim me partnerët tanë për të analizuar deri në detaje shkaqet që nxisin këtë fenomen. Theksoj sërish se shtetasit që duan të emigrojnë nga Shqipëria mund ta bëjnë këtë vetëm përmes rrugës së ligjshme”, – vijoi ajo.

Mark Harbers, ministër për Migracionin i Holandës tha se bashkëpunimi me Shqipërinë është i shkëlqyer.

“Dua të falenderoj znj. Voda për mikpritjen e saj. Përpara se të takohesha me zv.ministren Voda, pata mundësinë të vizitoja pikën kufitare të policisë Rinas, po ashtu pres të kem takime dhe me drejtues të Policisë së Shtetit. Tema kryesore e vizitës sime është emigracioni i paligjshëm, qëllimi im është ndalimi përmes bashkëpunimit me palën shqiptare. Fatmirësisht bashkëpunimi është ekselent dhe dua të shpreh vlerësimet e mija të sinqerta për punë e bërë nga autoritetet përkatëse për parandalimin e këtij fenomeni”, tha Mark Harbers, ministër për Migracionin i Holandës. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.