FOTO/ Kisha eremite e Shën Mërisë, mes ujërave të kristalta të Prespës

TIRANË, 7 prill/ATSH-A.ALLA/ – Bukuritë natyrore nuk janë e vetmja pasuri e Liqenit të Prespës. Kishat eremite janë asetet e vyera të trashëgimisë shpirtërore të cilat i shtojnë hijeshinë.

Kisha e Engjëjve dhe kisha e Shën Mërisë janë dy nga objektet e kultit të cilat tërheqin vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj, jo vetëm për shkak se janë dëshmi kulturore e historike, por edhe për pozicionimin brenda faqes shkëmbore në breg të liqenit. Mes qiellit dhe ujit, këto kisha duket sikur dalin nga historitë e përrallave. Ndërtimi i tyre në shkëmb, ikonat dhe panorama që i rrethon plotësojnë njëra-tjetrën, duke i bërë të parezistueshme për vizitorët, të cilët nuk ngurrojnë të ngjisin shkallët e drunjta për t’i parë nga afër.

Kisha e Shën Mërisë është një ndër atraksionet turistike më të veçanta në këtë liqen. Itinerari që të çon drejt saj është po aq i veçantë. Për të parë kishën e Shën Mërisë nisesh nga fshati Pustec, ku duhet të ndërmarrësh një udhëtim me varkë për rreth 1 orë. Rruga nuk ndihet fare pasi peizazhi i mrekullueshëm i liqenit me ujërat e kristalta dhe pasqyrimi i maleve në ujë, të mbërthejnë. Një udhëtim magjik mes kontrasteve natyrore.

Buzë liqenit, në lindje të fshatit Tuminec shfaqet madhështore kisha e Shën Mërisë, një kishë eremite e shek XIV. Në kishën me tre kate të gdhendur në shkëmb, bien në sy ikonat të cilat ruajnë ruajnë vlerën dhe simbolikën e kohëve kur janë vendosur aty. Piktura e Shën Mërisë, e cila daton në fundin e shekullit XIII, tregon gjurmë të përparuara të stilit të artit pamor bizantin.

Për të arritur në brendësi të kishës, ngjitesh në shkallë druri të ndërtuara nga banorët e zonës.

Në brendësi, kisha është e pasur me ikona të ndryshme që pavarësisht kohës ruajnë ngjyrat, shkrimet dhe madje në disa prej tyre gjenden të gdhendura dhe iniciale njerëzish që e kanë vizituar atë për të bërë një lutje, apo për të gjetur qetësi shpirtërore. Kisha është vend pelegrinazhi dhe kjo duket qartë nga qirinjtë dhe lulet e vendosura aty. Edhe turistët, të cilët shijojnë bukurinë dhe historinë e strukturës, nuk ngurrojnë të shprehin dëshirat e tyre në këtë vend që konsiderohet i shenjtë nga banorët e zonës.

Dritaret e hapura në pjesën jugore të kishës janë i vetmi burim drite për në brendësi të saj. Përmes tyre vizitori shijon një pamje mbresëlënëse të liqenit, ndërsa qetësia ndërpritet vetëm nga zhurma e valëve të lehta në breg. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.