MJEDIS – CO2 në nivelin më të lartë në 3 milionë vite

PARIS, 6 prill /ATSH-AFP/- Shkencëtarët paralajmërojnë se përqendrimi në atmosferë i CO2, shkaku kryesor i ngrohjes globale, është në nivelin më të lartë në 3 milionë vjet, duke e bërë të pashmangshme rritjen alarmante të temperaturës së planetit dhe nivelin e oqeaneve në disa shekuj.

Shkencëtarët vlerësonin deri më tani se niveli aktual i dioksidit të karbonit, pak më shumë se 400 pjesë për milion (ppm), nuk është më i lartë se ai i 800.000 viteve më parë, gjatë një periudhe të shënuar nga cikle të ngrohjes globale dhe ftohjes së Tokës që do të vazhdonin sot, pa ngrohjen që lidhet drejtpërdrejtë me aktivitetet njerëzore.

Por bërthamat e akullit dhe sedimentet detare të marra nga pjesa më e ftohtë e planetit zbulojnë tashmë se pragu prej 400 ppm u tejkalua për herë të fundit 3 milion vjet më parë, gjatë Pliocenit. Temperaturat ishin atëherë 3 deri 4 gradë Celsius më të larta, pemët po rriteshin në Antarktidë dhe niveli i oqeanit ishte 15 metra më i lartë.

Këto analiza janë vërtetuar nga një model i ri klimatik i zhvilluar nga Instituti ‘Potsdam Institute for Climate Impact Research (PIK).

‘’Fundi i Pliocenit është relativisht afër me ne në aspektin e niveleve të CO2″, pohon për median Matteo Willeit, hulumtues në PIK dhe autori kryesor i një studimi të botuar këtë javë.

“Modelet tona sugjerojnë se në Pliocen nuk kishte as cikle akullnajore as masa të mëdha akulli dhe dëbore që mbulojnë majat e maleve në hemisferën veriore. CO2 ishte shumë i lartë dhe klima shumë e nxehtë për ta lejuar atë. / v.b/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.