LONDËR – Pasaportat e reja britanike nuk përfshijnë më termin ”Bashkimi Europian”

LONDËR, 6 prill /ATSH-AFP/ – Pasaportat britanike të cilat nuk përfshijnë termin ”Bashkimi Europian” u hodhën në qarkullim që nga 30 marsi, njoftoi sot Ministria e Brendshme, megjithëse Brexit, fillimisht i parashikuar për më 29 mars, ende nuk është konkretizuar.

Një shtetase britanike iu drejtua Ministrisë nëpërmjet rrjetit social Twitter ku shprehej se ishte vërtet e habitur nga pjesa e jashtme e pasaportës së saj të re.

”Ne jemi ende në BE. Përse pasaporta ime e re nuk e pasqyron diçka të tillë ?” ngrinte pyetjen Susan Hindle Barone.

”Pasaportat me ngjyrë vishnje të cilat nuk paraqesin fjalët Bashkimi Europian u hodhën në qarkullim më 30 mars’’, deklaroi një zëdhënëse e Ministrisë së Brendshme në një komunikatë.

‘’Për të hequr gradualisht stoqet e mbetura, pasaportat me termin Bashkimin Europian do të vijojnë të lëshohen për një periudhë të shkurtër pas kësaj date’’, sqaroi zëdhënësja, duke shtuar se dy modelet janë po aq të vlefshme si njëri dhe tjetri për të udhëtuar./ /v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.