Lame: Kadastra i jep fund kaosit të tre dekadave me pronën

TIRANË, 6 prill /ATSH/-“Reforma do të jetë në tre drejtime: Reformë thelbësore në hartografi, reformë thelbësore në shërbime dhe sistemet e shërbimit dhe reformë thelbësore në burimet njerëzore, në meritokraci”.

Kështu u shpreh sot Artan Lame, gjatë takimit ku u prezantua në krye të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, (që bashkon Hipotekat e ALUIZNI-n) nga zëvendëskryeministri Erion Braçe.

Dua të theksoj, tha Lame, se zgjidhja e çështjes së pronësisë mbetet thembra e Akilit. ” Shpreh angazhimin maksimal të qeverisë, si në procesin e legalizimeve dhe në rastin konkret të Kadastrës, me objektiv kryesor zgjidhjen e problemit të pronës për qytetarët”.

“Puna e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës është e vështirë, por rrugë tjetër për të mbyllur kaosin e tre dekadave për çështjen e pronave nuk ka” -tha ai.

I ftoj qytetarët shqiptarë që siç na ndoqën në reformën e legalizimeve të na ndjekin dhe në ngritjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës”, tha Lame.

Ligji i ri për Kadastrën hyri në fuqi pak kohë më parë dhe së shpejti ngrihet edhe struktura e re. Agjencia e Kadastrës do të jetë në vartësi të Kryeministrit, dhe Institucioni shihet si themeli i reformës së pronës. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.