Bashkia e Kukësit, 4 muaj për të dhënë leje për ndërtimin e spitalit

TIRANË, 5 prill/ATSH-Maela Marini/ “Në një kohë kur qeveria investon për spitalin e Kukësit, duhen 4 muaj për të marrë lejen e ndërtimit nga bashkia”.

Kështu deklaroi sot në një takim me banorët e Kukësit, Kryeministri Edi Rama, ndërsa tha se qeveria ka vendosur fonde për të ndërtuar një pjesë të domosdoshme në spitalin e Kukësit.

“Ne kemi bërë një transformim të madh në spitalin e Kukësit, edhe pse ende nuk është plotësisht ashtu si duhet. Nuk e kam kuptuar akoma arsyen pse duhen 4 muaj për të marrë lejen e ndërtimit për spitalin”, – tha Rama.

Ai theksoi se “në spitalin e Kukësit sot ka shumë shërbime që më parë nuk imagjinoheshin”. “Nënat e reja shtatzëna duhet të shkonin në Prizren apo Tiranë për të bërë një eko, që sot bëhet këtu”, – tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “më në fund kemi dalë nga gropa e mungesë së specializantëve në mjekësi dhe 10 mjekë të rinj specialistë do të atashohen pranë spitalit të Kukësit.

Rama tha se deri tani ka funksionuar edhe sistemi i patronazhimit që sjell shërbimin më  afër dhe kursen shpenzimet. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.