U shkarkua nga KPK, ish-prokurorja Gashi kërkon rikthimin në detyrë

TIRANË, 4 prill/ATSH/ – Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi shtyrjen e seancës për ish-prokuroren Rovena Gashi për në datën 23 prill. Ish-prokurorja Rovena Gashi u paraqit paraditen e së enjtes në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku kërkoi shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e saj nga detyra.

Lidhur me kërkesën e Gashit për të pasur si ndihmëse ligjore motrën e saj, Ema Gashin, KPA vendosi të mos e pranojë këtë kërkesë, pasi sipas KPA Gashi mund të zgjedhë avokat apo mbrojtës ligjorë, por jo asistent.

Ish-prokurorja Gashi u shkarkua me vendim të KPK më datë 25 korrik 2018 nga trupa e KPK, Genta Tafa, Pamela Qirko dhe Lulzim Hamitaj për shkak se ish-prokurorja nuk justifikonte pasurinë.

Gjatë seancës të zhvilluar sot, Kryesuesja e trupës gjykuese Albana Shtylla tha se ONM ka paraqitur një gjetje për ish-prokuroren Rovena Gashi. Vëzhguese sot ishte përcaktuar për të qenë Mia Rozing, por për shkak të probleme shëndetësore, në seancë është paraqitur Teo Jacobs.

Ish-prokurorja ka qenë e pranishme në seancë, teksa ka kërkuar të asistohet nga motra e saj, Ema Gashi. Kjo e fundit ka kërkuar sqarime për ndryshimin e përfaqësuesit të trupës ndërkombëtare të monitorimit. “OMN asiston në çdo seancë, gjatë procesit të Vetting-ut. Ne kemi qenë të lajmëruar për një tjetër përfaqësues. Mund të na shpjegoni arsyet e ndërrimit të tij? Ne kërkojmë që trupi gjykues të shprehet nëse unë jam legjitime si ndihmëse ligjore”, tha Ema Gashi.

Teo Jacobs gjatë seancës u shpreh se përfaqëson OMN në mungesë të koleges. “Emri im nuk është Mia por Teo dhe këtu përfaqësoj OMN-në. Kolegia ime është e sëmurë në shtëpi dhe roli im është që të monitoroj dhe të ndjek këtë seancë”, u shpreh ai.

Gashi mbante më herët dhe rolin e drejtores së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Sektorin e Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Ajo u pezullua nga Kryeprokurorja Arta Marku, pasi ndaj saj nisi një hetim. Pas këtij pezullimi, Gashi u përball edhe me KPK-në, ku dhe u shkarkua.

Albana Shtylla, kryesuese e trupës së që shqyrton Gashin në Kolegjin e Pavarur të Apelimit pasi dëgjoi pretendimet e palëve u tërhoq për të marrë vendim.

Trupa gjykuese përbëhet nga kryesuese: Albana Shtylla, relator: Luan Daci dhe anëtarë: Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.