Rama: Qytetarët vlerësime për përmirësimin e shërbimeve publike

TIRANË, 4 prill/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në takimin e përjavshëm të bashkëqeverisjes, në Kryeministri se “tashmë qytetarët e kanë vetë fuqinë e të drejtës në dorën e tyre”.

Kreu i Ekzekutivit theksoi se perceptimi publik karshi shërbimeve publike është përmirësuar, dhe kjo edhe falë rolit të rëndësishëm që ka platforma e bashkëqeverisjes.

“Kemi bërë një anketim ditët e fundit, një anketim kombëtar për perceptimin e publikut për shërbimet publike dhe me kënaqësi kemi konstatuar se ka një vlerësim pozitiv. Pra një përqindje e lartë e qytetarëve vlerësojnë se shërbimet janë përmirësuar. Dhe kjo përqindje është e konsiderueshme dhe pa diskutim e pakrahasueshme me atyre që kishin dhënë vlerësim pozitiv një vit më parë. Në këtë përmirësim platforma e bashkëqeverisjes ka rolin e saj kryesor”, – tha Rama.

“Kjo platformë, – shtoi Kryeministri, – jo vetëm zgjidh halle, por dhe ushtron presion në administratë, pasi tashmë administrata e di se nuk bëhet shaka me të drejtën e qytetarit”.

Sot, nënvizoi Rama, qytetari nuk mbetet pa shpresë dhe zgjidhje kur i përplaset fytyrës dera e administratës, por përmes platformës qytetari ka në dorë të gjithë fuqinë e të drejtës që i takon”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.