Agjencia Telegrafike Shqiptare

Reformë zgjedhore bipartizane dhe e gjithëpranuar

TIRANË, 3 prill/ATSH-Maela Marini/ “Ne jemi të gatshëm të presim opozitën dhe të diskutojmë adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it në tryezën e Komisionit”, tha sot Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri, duke folur për domosdoshmërinë e zgjatjes së afatit të komisionit të reformës zgjedhore.

Kjo, tha ai, ka qenë një nga pikat e kërkuara vazhdimisht nga opozita, e cila është ankuar për proceset zgjedhore dhe ka kërkuar ndryshime në Kodin Zgjedhor.

Gjiknuri vlerësoi kontributin e opozitës në nisje të punës së këtij komisioni, por sipas tij, në në fund fatkeqësisht e bojkotoi.

Tani, tha Gjiknuri, “jemi para një realiteti të ri politik, ku opozita e dikurshme parlamentare ka dalë jashtë parlamentit dhe kemi një grupim tjetër, të po asaj opozite që është në parlament”.

Reforma zgjedhore duhet të jetë bipartizane dhe e gjithëpranuar, tha Gjiknuri, duke shtuar se “ne nuk mund ta digjnim këtë mundësi për shkak të ndryshimit të një realiteti politik”.

“Opozita parlamentare dhe ajo jashtëparlamentare ka të njëjtat të drejta. Ky komision ka dy bashkëkryetarë, por ka edhe një përfaqësues të veçantë të opozitës, i cili ka të drejtë të propozojë dhe të diskutojë në lidhje me të gjitha amendimet e Kodit Zgjedhor. Kjo është një mundësi e mirë që opozita duhet ta shfrytëzojë përpara zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, që edhe nëse kanë propozime lidhur me këto zgjedhje t’i sjellin në tavolinë dhe ne jemi të gatshëm t’i shqyrtojmë”, tha Gjiknuri.

Gjiknuri tha se “është e vërtetë që organizimi i zgjedhjeve tashmë ka hyrë në një fazë të maturuar”. “Ne nuk mund të bëjmë eksperimente duke ndryshuar Kodin një muaj apo 2 muaj para zgjedhjeve. Kjo është e papranueshme dhe do të minonte procesin zgjedhor, megjithatë nëse ka vend apo hapësirë për ndonjë ndryshim që do të mund të bëhej në mënyrë konsensuale edhe për këto zgjedhje, ne jemi të gatshëm ta pranojmë”, tha ai.

Gjiknuri shprehu gatishmërinë që edhe pse opozita ka zgjedhur të djegë mandatet e saj për të keqen e saj, të vijë në tavolinën e reformës zgjedhore dhe diskutojmë për të  adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

Por, ai theksoi se çështjet e sistemit, që mund t’i interesojnë një pjese të deputetëve, nuk mund të bëhen tani. “Sistemi zgjedhor nuk është çështje që zgjidhte brenda një muaji. Përkundrazi, brenda një kohe të shkurtër mund të adresojmë disa rekomandime të rëndësishme, mbase ndonjë edhe për këto zgjedhje. Ky vullnet i mirë i mazhorancës nuk ka pse të vihet në diskutim nga ana e opozitës, si në sallë edhe jashtë salle”, shtoi ai.

Ne, tha Gjiknuri, nuk mund të bëjmë shpikje sistemi të momentit të fundit, që një grupim i caktuar politik kërkon për të legjitimuar veten.

“Ne kemi vendosur ta formojmë këtë komision dhe në një afat të pranueshëm, deri në 5 maj, opozita të sjellë propozimet e saj. Por të mos adresojmë çështje themelore për këto zgjedhje pasi ato janë në proces të organizimit. Vota e emigrantëve, financimi i partive politike, fushata zgjedhore apo teknologjia në votime duan kohë dhe është e pamundur që ato të zbatohen për këto zgjedhje, apo qoftë edhe të ndryshohen në mënyrë të njëanshme nga njëra palë. Ne nuk do t’i prekim ato”, tha Gjiknuri.

Ai shtoi se “mazhoranca është e gatshme të prekë elementë thelbësorë siç është depolitizimi i administratës zgjedhore, gjë që duhet t’i interesojë edhe çdo partie të re”.

“Dora është e shtrirë dhe kjo është një dritare e hapur për të negociuar me mazhorancën dhe për të gjetur një zgjidhje për elementë që mund të kthejnë besimin e opozitës në zgjedhje. Nëse opozita ka propozime konkrete për forcuar dispozitat në Kod për rastet e blerjes së votës, ne jemi të gatshëm t’i diskutojmë në komision. Dora e shtrirë është vullneti ynë i mirë që ne të shkojmë në zgjedhje si duhet”, tha ai.

Gjiknuri theksoi se përpara se ta votojë në Kuvend, mazhoranca këtë paketë do t’ia çojë për ekspertizë ODIHR-it dhe KE-së, në mënyrë që ajo të jetë e certifikuar. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version