Qëndrimi i opozitës po rrezikon vendimin historik të hapjes së negociatave

TIRANË, 3 prill /ATSH/ – “Demokracia liberale dhe rruga e reformave duhet të ishte mesazhi me të cilin ne kishim mundësinë të trokisnim në derën e BE për të dhënë një mesazh frymëzues. Por, sot jemi të ftuar nga opozita në një sistem antisistem”, deklaroi sot në Kuvend deputeti i Partisë Socialiste, Niko Peleshi.

“Parlamenti shqiptar, nga një legjislaturë tek tjetra, nuk e ka rritur përfaqësimin intelektual dhe shoqëror. Politika nuk po tërheq më pasionantët e vërtetë dhe idealistët është kthyer në një fjalë të pisët. Faji duhet të gjendet brenda parlamentit”, tha Peleshi, duke shtuar se “sot pas 30 vitesh PD që doli nga protesta e studentëve del nga sistemi politik dhe godet tek thelbi i zgjedhjes dhe konkurrimit përmes alternativave dhe votës. Sot jemi të ftuar nga opozita në një rrugë antisistem që mbase dhe opozita nuke di se ku çon”.

“Dalja e PD nga Kuvendi goditi sistemin politik. Populizmi në shumë vende, edhe në ato të BE, ka ecur. Jemi të disavantazhuar për të zgjidhur këto kriza tona të vogla. Kemi pasur mundësinë dhe shansin që si vend i vogël të trokisnim në dyert e BE. Do ishte një mesazh frymëzues për BE. Fitorja e presidentes sllovake ishte një model i mirë edhe për BE. Ky duhet të ishte edhe mesazhi ynë. Sot edhe vete brenda BE ka nevojë për shpresë dhe optimizëm. Rruga e opozitës, po na e heq këtë shans historik, po rrezikon për hir të vërtetës, për të mos u fshehur pas gishtit, edhe vendimin e qershorit. Prandaj duhet të jemi të shqetësuar për vetëvrasjen e opozitës”, tha Peleshi.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.