Verifikim ekzekutimit të vendimeve gjyqësore në 112 institucione

TIRANË, 2 prill /ATSH/ – Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil ka verifikuar ekzekutimin e vendimeve gjyqësore në 112 institucione.

Komisionerja Pranvera Strakosha, gjatë një takimi me deputetët e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të cilët zhvilluan një vizitë informuese pranë Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, u ndal te problematikat e hasura në drejtim të zbatimit të ligjit të nëpunësit civil me bashkitë e vendit dhe institucionet e tjera, si edhe në mënyrë përshkruese u ndal te dita e punës së institucionit në të gjitha hallkat: inspektim, relatim dhe vendimmarrje nga Komisioneri.

“Në fazën e parë ne në fakt kemi grumbulluar të gjitha vendimet gjyqësore në 112 institucione, që është shifra në raport, pa përfshirë institucionet e varësisë, sepse ishte punë shumë voluminoze. Kemi mbledhur vendimet gjyqësore dhe konstatuam që institucionet kishin vështirësi edhe në dhënien e informacionit. Nuk kuptonin se ç’u ishte kërkuar. Dërgonim punonjësin tonë që t’i merrnin një e nga një vendimet gjyqësore. Kemi konstatuar që kanë mbetur pa ekzekutuar 311 vendime, për të cilat do të vazhdojmë me fazën e dytë, për të vazhduar me ekzekutimin konkret”, u shpreh Strakosha.

Strakosha gjithashtu i njohu deputetët me veprimtarinë e institucionit përgjatë 5 vjetëve, që nga themelimi i tij si institucion, si edhe me problematikat e vërejtura gjatë ushtrimit të detyrës.

Deputetët e pranishëm në vizitë ngritën pyetje dhe dhanë sugjerimet e tyre lidhur me çështje të caktuara që lidhen me veprimtarinë e institucionit të Komisionerit të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil.

Kryetari i komisionit parlamentar, Ulsi Manja, sugjeroi gjithashtu lidhur me çështjet e nevojshme për t’u përfshirë në relatimet mujore, materialet e shkurtra tremujore dhe raportet vjetore që Komisioneri i paraqet komisionit parlamentar.

Deputetët u njohën edhe me mjediset e reja të institucionit, të restauruara nga buxheti i shtetit.

Vizita informuese në Komisionin e Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil, është e dyta në radhën me tetëmbëdhjetë institucione të tjera në fushën e mbikëqyrjes parlamentare të komisionit parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.