Ujë të pijshëm për mbi 7 mijë banorë në Rrajcë

TIRANË, 2 prill /ATSH/ – Mbi 7 mijë banorë në Rrajcë, do të kenë ujë të pijshëm falë një investimi prej 5 milionë eurosh.

Ky projekt është një investim mes qeverisë shqiptare, IPA dhe KfW.

“Janë 30 vite kur është folur për këtë ujësjellës”, tha sot kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në një takim me banorët e Rrajcës, ku ishin të pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, ambasadorja e Gjermanisë, Sussane Schutz, ambasadori i BE, Luigi Soreca dhe drejtori për Europën Juglindore i KfW, e cila është banka në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe IPA, 3 struktura që kanë investuar për këtë projekt.

Balla theksoi se projekti për ujin e pijshëm ka një rëndësi të veçantë për këtë zonë, pasi bashkia e Prrenjasit është përzgjedhur si një nga bashkitë që do të përfitojnë nga ky projekt.

“KfW është institucioni financiar që është në vend të parë sa i përket financimeve për ujin e pijshëm në Shqipëri”, tha Balla.

Gjithashtu si kreu i grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-Gjermani, Balla tha se, “me IPA-n kam zgjedhur bashkinë Përrenjas. Përveç kësaj doja të thosha dy shifra domethënëse. 11 miliardë lekë të investuara nga qeveria Rama në bashkinë Përrenjas vetëm në 4 vitet e fundit dhe kjo do të thotë që ne s’kemi bërë dallim mes bashkive që drejtohen nga partitë e tjera dhe atyre që drejtohen nga ne”.

Balla theksoi se kjo zonë këtë vit do të ketë edhe investimin për shkollën e mesme.

Gjithashtu theksoi Balla, Rrajca bën pjesë në programin e “100 fshatrave”. Sa të mbarojë investimi i ujit të pijshëm, hapi i radhës është ndërtimi i rrugës që lidh qendrën e Rrajcës me fshatrat përreth.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.