Rama: Asnjë lloj tryeze për të negociuar mandatin që na ka dhënë populli

TIRANË, 2 prill/ATSH-Maela Marini/ “Nuk ka më asnjë lloj tryeze për të negociuar mandatin që na ka dhënë populli”, deklaroi sot nga Librazhdi Kryeministri Edi Rama.

Në një takim me banorët në kuadër të turit “Bashkia që duam”, Kryeministri Rama tha se “qytetarët nuk na e kanë dhënë mandatin që t’i japim pushtet Lulit, por ta përdorim për të fuqizuar ekonominë, punësimin, rindërtimin e shkollave dhe qendrave shëndetësore, të rrisim agrobiznesin dhe të krijojmë kushte më të mira për ata që vijnë pas nesh”.

“Na është dashur të përballemi me një boshllëk të madh të krijuar nga ata që duhet të na sfidonin dhe të na vinin në vështirësi me alternativën e tyre. Ata të cilët edhe sot nuk e kanë kuptuar pse humbin dhe prandaj kanë humbur dhe do të vazhdojnë të humbin”, – tha Rama.

Kryeministri tha se “opozita është tërhequr dhe kërkon që humbjen e saj ta shohë si fajin tonë”.

“Është për të vënë duart në kokë kur i dëgjon të rrokanisin kokën e shqiptarëve ditë-natë dhe shpërndajnë kudo ku munden në zyrat e huaja pretendimin absurd se atyre u vidhen votat, u merret fitorja e merituar nga duart me forcën e parasë së krimit e drogës etj. Por ka një mënyrë shumë të thjeshtë për ta arsyetuar gjithë këtë. Ne i kemi mundur ata kur kishin Saliun edhe shtetin. Tani ka demokratë me mend në kokë që thonë se ishte më kollaj të mundje Saliun me gjithë shtetin e tij, se sa Lulin me gjithë fallxhoren që mban në krah”, – tha Rama.

Duke folur për akuzat e opozitës për kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, Rama tha se “ai e mundi Saliun me gjithë hordhinë e tij në 2007, në 2011, në 2013 dhe në 2017”. “I kemi mundur me herë të tëra Saliun me gjithë shtetin e tij që nuk na linte gjë pa bërë, për ta nxjerrë votën nga kutitë dhe nuk mundim dot Lulin?”, – tha Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se “në 30 qershor do t’i mundim edhe në Kukës, shumë më thellë se sa i mundëm më parë”. “Nuk ka demokratë të arsyeshëm që të thotë se në këto vite PD është bërë më e fortë dhe kryetari i PD-së është bërë më i zoti”, – tha Rama, duke shtuar se ata humbën zgjedhjet e 2017, ndërkohë që drejtonin vetë gjysmën e qeverisë.

“Ne i kemi mundur atëherë dhe do t’i mundim prapë. Ata zgjodhën të bëjnë diçka që askush nuke ka bërë. E ka bërë vetëm një parti në vitet ’20 në Itali dhe ajo parti u shkri fare. Ashtu do shkrihen dhe ata, sepse zgjodhën të tradhtojnë popullin e tyre duke djegur mandatet”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “duhet të marrë fund historia që kush bën të keqin dhe kush shkel rregullat, ne do t’i lutemi ‘hajde ta zgjidhim'”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.