SHKUP, 2 prill /ATSH-MIA/ – Kryeministri grek, Aleksis Cipras sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Ai është kryeministri i parë i Greqisë që do të vizitojë vendin.
Kryeministri grek gjatë vizitës në Shkup do të ketë bisedime me kryeministrin Zoran Zaev.
Pritja zyrtare e Ciprasit me nderime shtetërore dhe ushtarake do të jetë në platenë para ndërtesës së qeverisë.
Pas bisedimeve kokë më kokë, Zaev–Cipras dhe takimit ndërqeveritar, dy kryeministrat do të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp.
Kryeministri grek do të ketë takim edhe me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi.
Pasdite do të mbahet forum biznesi, ku do të flasin dy kryeministrat.
Në delegacionin që do ta shoqërojë Ciprasin gjatë vizitës në Shkup, krahas ministrave të qeverisë, janë edhe përfaqësuesit e disa kompanive të mëdha dhe të mesme greke.
Në një bisedë me MIA-n, Cipras thekson se ”vizita është me rëndësi historike, e bazuar në vizionin e ri strategjik të të dy vendeve, ku do të nënshkruhen edhe një sërë marrëveshjesh në sfera të ndryshme”.
‘’Greqia dhe Maqedonia e Veriut duhet të jenë partnere dhe aleate”, theksoi Cipras./ /os/ a.jor.
