Kuko: Këshilla rajonalë për sigurinë publike pranë prefekturave

TIRANË, 2 prill/ATSH/- Zv.ministrja e Brendshme, Romina Kuko, gjatë një interviste televizive, paralajmëroi ngritjen e këshillave rajonalë për sigurinë publike pranë prefekturave, si një mekanizëm për parandalimin e krimit për rritjen e sigurisë.

“Puna parandaluese nuk është diçka që i përket vetëm policisë së shtetit. Dëgjova se duhet të ishin forcat speciale që do ndalonin kriminalitetin. Jo, nuk janë forcat speciale, kriminalitetin e parandalojnë të gjitha institucionet dhe aktorët e jetës në një qytet, duke nisur nga bashkia, shkollat, qytetarët, qendrat shëndetësore dhe më pas policia që ka rolin e vetë të rëndësishëm”, tha Kuko.

“Nëse shifrat janë treguesi më i mirë dhe më i saktë, atëherë rezultatet e viteve të fundit janë më pozitivet e arritura nga Policia e Shtetit. Në Shkodër në vitin 2012 ka patur 18 të vrarë dhe së fundmi ka patur 9-të të vrarë. Çdo jetë njerëzore vlen, e s’duhet të bëjmë këtë krahasim cinik, por ka një ulje drastike të shifrave”, tha zv/ministrja.

“Çdo shifër është në nivel optimal, po të krahasohet me të shkuarën. Së bashku me OSBE-në kemi bërë sondazhe në disa qytete për nivelin e sigurisë dhe qytetarët shprehen në nivele optimal. Kjo tregon se njerëzit ndihen të sigurtë në lagjet e tyre, në qytetet e tyre. Në fund të ditës njerëzit duan sigurinë në jetën e tyre të përditshme”, tha Kuko.

“Ne kemi propozuar të kemi Këshillat rajonal për Sigurinë publike, që janë disa platforma që do drejtohen nga prefekti i qarkut. Aty do të jenë këshillat e qarkut, do jenë drejtorët e shkollave të qarkut, do të jenë drejtues të qendrave shëndetësore, pra të gjitha institucionet vendore dhe kjo është një nisëm avangardë që ndikon në parandalimin e ngjarjeve kriminale”, tha Kuko.

Lidhur me protestat e opozitës, Kuko tha se protestat kanë kostot e tyre mbi peshën e punës së policisë dhe organizimin e punës së policisë. “Ajo që është e sigurt është se Policia ka kapacitetit për të mbarëvajtur protestat dhe për të vijuar punën në terren për të luftuar shkelësit e ligjit. Ajo që ndodh është mbingarkesa në punë, por nuk besoj se ka ulje të cilësisë së punës. Ka një strategji për ta mënjanuar këtë, por gjithsesi në tërësinë e saj protestat mbeten një kosto për policinë e shtetit”, tha Kuko. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.