Gjonaj: Përgjimet e publikuara nga PD copëza të dala nga konteksti

TIRANË, 2 prill/ATSH/ – Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë një interviste televizive u shpreh se mazhoranca është duke menduar të ashpërsojë dënimet në Kodin Penal për rastet e dhunës ndaj individit për shkak të detyrës.

Duke marrë shkas nga ngjarja në Elbasan, ministrja Gjonaj theksoi se mazhoranca është mjaft e kujdesshme në vlerësimin e situatës dhe për këtë është duke u menduar dhe ashpërsimi i Kodit Penal.

“Politikat për pjesën e profesioneve të lira ka qenë në fokus të Ministrisë së Drejtësisë dhe së fundmi, në kuadër të Reformës në Drejtësi, janë miratuar një pjesë e ligjeve që lidhen me profesionet e lira, këtu flasim për noterinë, avokatinë etj”, – tha Gjonaj.

“Tani jemi në diskutime për ligjin për përmbarimin privat. Ka pasur disa mangësi të theksuara në mënyrën se si janë organizuar profesionet e lira. Ministria e Drejtësisë është institucioni kryesor që monitoron punën e profesioneve të lira. Rreth 20 inspektime janë kryer te përmbaruesit privatë, një pjesë e tyre kanë marrë masa administrative, disa të tjerë janë pezulluar… Sa i takon ngjarjes në Elbasan, padyshim bashkohem me shqetësimin që ka ngritur dhoma e avokatisë për ngjarjen në Elbasan. Ne si mazhorancë po shohim mundësinë për të riparë Kodin Penal për personat që goditen për shkak të detyrës, kemi mjekët, avokatin etj.”, – tha Gjonaj.

Duke folur për rastin Salianji, Gjonaj tha se është shumë i dëmshëm publikimi i sekretit hetimor.

“Për çështjen Salianji, “Babalja”, duhet të flasë Prokuroria në fund të hetimit. Çështje të copëzuara apo përgjime të copëzuara, të dala nga konteksti dhe që i serviren publikut nuk janë të shëndetshme për informimin e opinionit publik. Kjo është një mënyrë që s’duhet proceduar”, – tha Gjonaj.

“Kur je cilësuar si i pandehur nuk mund të publikosh akte të tilla. Këto janë akte të copëzuara të një pjese më të madhe. Janë të dala nga konteksti dhe krijojnë një ide që ndoshta nuk është ajo që nxjerr në përfundim prokuroria, pasi dosja është shumë më shumë voluminoze e duhet të jemi të detyruar të presim dhe përfundimin e këtij hetimi. Përgjimet kanë qëllim turbullimin e situatës dhe jo të gjejnë të vërtetën e të zbulojnë të vërtetën. Në fund të hetimit, kush ka përgjegjësi penale të marrë dënimin e duhur”, – theksoi Ministrja e Drejtësisë.

Gjonaj e cilësoi si një vetëvrasje politike djegien e mandateve nga deputetë të opozitës, ndërsa shtoi se protestat e dhunshme që synojnë destabilitet, janë tepër të dëmshme për vendin. Ministrja e Drejtësisë, tha se opozita ka të gjithë legjitimitetin e nevojshëm për t’u bërë pjesë e Reformës Zgjedhore.

“Kanë gjithë legjitimitetin për të qenë pjesë e për të diskutuar për Kodin Zgjedhor. Ne ftesën ja kemi bërë shumë më herët se ata të digjnin mandatet për të qenë pjesë e tryezës për Kodin Zgjedhor. Është kërkuar herë votim elektronik, herë numërim elektronik. Edhe z. Gjinkuri këtë thirrje ka bërë, që të gjitha palët të ulen në një tryezë e të rishikojnë Kodin Zgjedhor. Por duhet të pranojmë se është e vështirë që këto ndryshime të mëdha të jenë brenda tre muajve, pasi zgjedhjet vendore janë në qershor”, – vijoi ministrja Gjonaj.

“Është vërtet absurde të akuzosh këtë mazhorancë për korrupsion, kur shifrat flasin ndryshe. Djegia e mandateve është një vetëvrasje politike. E them këtë për një arsye të vetme, pasi të protestosh është mjet demokratik, të ngresh zërin për të përfaqësuar qytetarët e tu është sublime dhe kur ti djeg këtë mandat që të jepet, ti ke djegur besimin e qytetarëve të tu. Kur ushtrohet dhunë dhe bëhen deklarata për dhunë, duke dhunuar institucione shtetërore, je duke destabilizuar vendin. Dhe këtë qëndrim që po them dhe unë, e kanë përkrahur ndërkombëtarët, edhe ministrat e huaj që na kanë ndërtuar me praninë e tyre në Shqipëri”, – tha Gjonaj.

Ajo deklaroi se mazhoranca pavarësisht vendimit të opozitës është duke u përgatitur për t’u bërë pjesë e zgjedhjeve lokale.

“Protestat synojnë stabilitetin dhe është shumë i dëshmisë, si për turizmin, si për negociatat… etj. Ne pavarësisht kësaj jemi të vendosur të ecim përpara, zgjedhjet janë pranë dhe ne po përgatitemi për këtë. Do hyjmë në zgjedhje për të fituar bashkitë që kemi dhe patjetër më shumë se to”, – shtoi ajo.

Duke folur për korrupsionin, Gjonaj tha se janë dy momente tepër të rëndësishme, parandalimi dhe goditja.

“Është një proces që ka nisur thuajse një vit më parë. Task Forca Antikorrupsion ka arritur rezultate të mira. E kanë thënë këtë dhe ambasadorë dhe Këshilli Europian. Janë inspektuar 80 institucione. Janë marrë 396 masa administrative, 344 masa disiplinore, nga ku 110 janë dhe largime nga puna. Ndërsa në total kemi 36 punonjës të kallëzuar penalisht”, – tha Gjonaj.

Lidhur me Reformën në Drejtësi, ministrja Gjonaj nënvizoi se brenda qershorit Gjykata Kushtetuese dhe Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë do të jenë gati.

“Ngritja e dy këshillave, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Gjyqësorit është një moment shumë i rëndësishëm. Tani po punohet për ngritjen e Prokurorisë Speciale SPAK dhe BKH. Gjithashtu brenda qershorit do të jenë funksionale Gjykata Kushtetuese dhe Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, që ka për detyrë të marrë masa ndaj gjyqtarëve apo prokurorëve. Në këtë formë ngrihet totalisht arkitektura e re e Drejtësisë”, – tha Gjonaj.

Ajo pranoi se rruga deri këtu ka pasur pengesa dhe vështirësi. “Ka pengesa, ka vështirësi edhe periudha tranzitore ka krijuar vështirësitë e saj. Kemi dhe procesin e Vetingut. Nuk mendoja se do kishte kaq shumë gjyqtarë e prokurorë, që do rrëzoheshin nga sistemi. Për sa i takon përfshirjes politike, nëse është diçka që e kemi bërë shumë mirë është mospërfshirja politike në këtë reformë në drejtësi. Kjo është një gjë e shenjtë që ne e mbajmë fort”, – tha Gjonaj.

“Gjithmonë tentohet dhe është tentuar që Reforma në Drejtësi të pengohet, e duke patur gjithnjë këtë goditje të vazhdueshme e bënë më vulnerabël procesin, por kjo ka dhënë një imput pozitiv nga ambasadorët e vendeve partnere, që kanë dhënë mbështetjen e tyre pozitivë për këtë reformë në drejtësi”, – shtoi Gjonaj.

“Ngritja e SPAK do t’i japë një tjetër impuls formimit të shtetit të së drejtës. Ne presim që kandidatët që janë bërë pjesë e KLP, të kalojnë në Veting dhe sapo numri minimal që parashikon ligji të plotësohet, atëherë SPAK do të ngrihet. Ajo çka dua të theksoj, është se politika duhet të qëndrojë jashtë këtij procesi që është jetik për shtetin e së drejtës, çka do rriste investimet e huaja”, – tha ministrja e Drejtësisë, Gjonaj.

/a.f/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.