Gjiknuri: Në zgjedhjet e 30 qershorit hyjmë me Kodin aktual Zgjedhor


TIRANË, 2 prill /ATSH – I. Vata/ – “Në zgjedhjet vendore të 30 qershorit do të hyjmë me Kodin aktual Zgjedhor”, deklaroi sot për mediet, Kryetari i Komisionit të Posaçëm për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri.

Gjiknuri tha se  në zgjedhjet e 30 qershorit do të hyjmë me këtë Kod Zgjedhor. Reforma zgjedhore do të jetë e vlefshme vetëm për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Koha nuk premton që të ndryshohen rregullat e lojës tani. Reforma Zgjedhore është e vlefshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, tha Gjiknuri.

Po ashtu, Gjiknuri u shpreh se PS mirëpret çdo propozim të PD deri më datë 5 maj.

“Nëse, Partia Demokratike propozon diçka pa cenuar lokalet, Kodin e fusim në 30 qershor”, tha ai.

Gjiknuri shtoi se “tashmë jemi në fazën e implementimit të reformës për këto zgjedhje. Për arsye se PD ka dalë nga parlamenti dhe tashmë ka një grup tjetër deputetësh. Ne nesër do të bëjmë një amendim për t’i krijuar një mundësi Partisë Demokratike për të vëzhguar. Pavarësisht se janë jashtë kuvendit kanë një dritare të hapur, me të gjitha të drejtat që ka opozita në parim, me të drejtën e propozimit dhe kundërshtimit. Në çdo kohë që PD vendos të ulet në tavolinë për të kërkuar ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe PD e ka atë hapësirë “, u shpreh Gjiknuri. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.