FOTO/ Studentët nga Belgjika vizitojnë Qendrën e Hapjes për Dialog

TIRANË, 2 prill /ATSH/ – Qendra e Hapjes për Dialog (COD) në mjediset e Kryeministrisë si një hapësirë dedikuar qytetarëve ka tërhequr vëmendjen e studentëve të arkitekturës nga Universiteti Gent, Belgjikë.

Studentët nga Belgjika vizituan këtë qendër jo vetëm për t’u njohur me arkitekturën e ndërtesës por dhe për të njohur konceptin e COD si një qendër e hapur dedikuar publikut, rekreacionit, dialogut social dhe artit.

Kjo qendër u jep praktikisht qytetarëve, studiuesve apo të interesuarve, akses të plotë në çdo vendim, dokument apo material që lidhet me vendimet dhe politikat e qeverisë, por jo vetëm.

Një pjesë e rëndësishme e saj është Biblioteka e Kryeministrisë, me asetet e pasura në fushat  e politikbërjes, integrimit europian, diplomacisë e më tej, duke ofruar kësisoj një burim të pasur e deri më sot thuajse të pamundur për t’u shfrytëzuar, për këdo që ka interes të thellohet në studimin e sfidave të qeverisjes.

COD ka në thelb të misionit të tij, jo thjesht përçimin e informacionit, por edhe përthithjen e opinioneve e mendimeve, shkëmbimet intelektuale e artistike, të cilat janë konceptuar në fakt, si pjesa më vitale dhe unike e këtij projekti. /a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.