FOTO/ Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë në Bibliotekën Kombëtare

TIRANË, 2 prill /ATSH/ – Nxënës të klasës së 2-të të shkollës 9-vjeçare “Mihal Grameno” në Tiranë lexuan së bashku me drejtoreshën e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani libra nga biblioteka fëminore, duke krijuar një atmosferë magjike mes personazheve më të njohur e të dashur.

Në këtë takim me miqtë e vegjël të librit, të zhvilluar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë, drejtoresha Asllani i ftoi fëmijët të zbulojnë së bashku përmes leximit të autorëve të letërsisë fëminore, botën magjike te “Mësimet e natës” të shkrimtarit Betim Muço dhe të ndjekin aventurën e mrekullueshme të “Shigjetës së kaltër” të shkrimtarit italian Gianni Rodari.

Miqtë e vegjël të librit ndanë me njëri-tjetrin kënaqësinë e leximit të pjesëve të zgjedhura prej tyre nga libri “Përralla me zana” dhe përralla të preferuara të Andersenit.

Prej vitit 1967, data 2 prill, ditëlindja e një prej shkrimtarëve më të dashur për fëmijë, Hans Christian Andersen, është shpallur si ditë e veçantë e nxitjes dhe inicimit të dashurisë së leximit te lexuesit e vegjël. /a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.