Biblioteka elektronike, zv.ministri Shtino: Akses në botimet akademike prestigjoze

TIRANË, 2 prill /ATSH A.ALLA/ – “Realizimi i bibliotekës elektronike erdhi si rezultat i një kërkese specifike të studentëve në dhjetor, që kërkonin biblioteka me standarde europiane për aktivitetin universitar, çfarë tregon mbajtjen e një zotimi të qeverisë shqiptare”, tha zv.ministri për Arsimin e Lartë, Redi Shtino, i cili prezantoi paketën e zgjedhur kërkimore shkencore, që do të mundësojë databazën e bibliotekës elektronike në studion e ERTV-së.

“Pas skanimit të profileve të universiteteve tona, bëmë paralelisht vlerësimet e kompanive më prestigjoze në botë, lidere në botë të abonimeve në paketa kërkimore shkencore. Nga këto paketa u zgjodh EBSCO, e cila arrinte të mbulonte me dy nën paketa të veçanta, dy kërkesa specifike që burojnë nga ligji i ri për Arsimin e Lartë, paketën ”Rosseta Stone” dhe ”E book Collection”. Nëpërmjet ”Rosseta Stone” mundësohen 30 gjuhë të huaja online dhe njëkohësisht nëpërmjet testimeve online ofrohet certifikimi i gjuhëve të huaja. Paketa është e përbërë nga 12 nën paketa që mbulojnë në 360 gradë të gjitha fushat e kërkimit shkencor”, tha Shtino.

Zv.ministri shpjegoi konkretisht se në cilat kategori të publikimeve më prestigjoze të botës, studentët shqiptarë do të kenë akses ”E Book Academic Collection” është një koleksion i mbi 170 mijë teksteve mësimore që do u mundësojë studentëve konsultimin online dhe përgatitjen për fushat e ndryshme të interesit akademik. Në përbërjen e bibliotekës ka një paketë me një database revistash, artikujsh, tekstesh shkencore nga të gjitha fushat shkencore.

”Një nën paketë e posaçme përqendrohet në produkte shkencore me profil ekonomik dhe me nënkategori nga disiplina të financës. Nënpaketa e tretë, Regional Bussines News Plus, do të ofrojë botimet shkencore të Amerikës së Veriut, të SHBA dhe Kanada që përmblidhen në këtë paketë dhe ofrohen si një produkt rajonal specifik. Gjithashtu ka edhe dy nën paketa që ofrojnë lajme 360 gradë në të gjitha formatet nga mbarë bota, nga mediet më prestigjoze në botë”, tha Shtino.

Shtino theksoi se, ”EBSCO Discovery Service është një motor kërkimi që shkon përtej paketës EBSCO për të marrë informacion në Google, për të gjitha punimet shkencore në nivel botëror pa pagesë”.

Zv.ministri shtoi se Ministria e Arsimit ka arritur të përmbushë pjesën më të madhe të zotimeve të ndërmarra në kuadër të Paktit për Universitetin, por gjithçka nuk mund të realizohet plotësisht nëse universitetet nuk bashkëpunojnë për pjesën e mbetur. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.