Bashkëpunimin kulturor midis Japonisë dhe Shqipërisë

TIRANË, 2 prill/ATSH/ – Ambasadori i Japonisë, Sh.T.Z. Makoto Ito, zhvilloi një takim kortezie me ministren e Kulturës Elva Margariti. Dy palët shkëmbyen mendimet mbi bashkëpunimin kulturor midis Japonisë dhe Shqipërisë.
Gjatë takimit, ambasadori Ito e informoi ministren Margariti mbi hapat e ndërmarra nga Ambasada e Japonisë për forcimin e bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Japonisë që prej hapjes së saj në janar të vitit 2017.
Ai gjithashtu bëri një përshkrim të shkurtër të “Skemës së Ndihmave me Grante për Organizatat dhe Projektet Kulturore”, e aprovuar kohët e fundit me synimin për të mbështetur institucione dhe shoqata joqeveritare shqiptare që operojnë në fushën e kulturës.

Ambasadori Ito përmendi gjithashtu disa evente kulturore që Ambasada do të organizojë gjatë muajve në vijim si: “Festivali Japonez i Filmit”, një performancë teatrore Noh, si dhe një ekspozitë me maska Noh, një performancë me daulle tradicionale japoneze si dhe një performancë samurai. Për më tepër, një violinist i famshëm japonez do të performojë disa pjesë të muzikës klasike në Tiranë gjatë verës dhe një pianist i famshëm japonez i muzikës xhaz do të marrë pjesë në “Festivalin e Xhazit”.
Nga ana e saj, ministrja Margariti vlerësoi pozitivisht shkëmbimet dhe bashkëpunimin kulturor midis Shqipërisë dhe Japonisë dhe ndau me ambasadorin Ito mendimin e përbashkët se kultura dhe arsimi janë elementët më të rëndësishëm në zhvillimin e një vendi. Për më tepër, ajo shprehu dëshirën për një bashkëpunim të mëtejshëm dhe për një mbështetje të vazhdueshme nga ana e Ambasadës së Japonisë në aktivitete kulturore dhe projekte që janë duke u promovuar dhe implementuar aktualisht nga Ministria e Kulturës. /m.z/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.