Basha përkujton 2 Prillin në Shkodër: Demokracia, ende e kërcënuar

TIRANË, 2 prill /ATSH – I. Vata/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë sot, në ceremoninë e përkujtimit të 2 Prillit. Ai vendosi kurora me lule në memorialin e dëshmorëve të demokracisë, Bujar Bishanaku, Arben Broci, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka.

Në fjalën e tij, Basha tha se 28 vite më parë diktatura komuniste në grahmat e fundit vendosi të hakmerrej ndaj Shkodrës duke vrarë katër të rinj.

“2 Prilli hyri në historinë tonë kombëtare dhe asnjëherë nuk do reshtim të kujtojmë këtë datë që është kujtesë e përhershme se rrënjët e të keqes nuk thahen nëse nuk i shkulim një herë e mirë”, tha ai.

Në vijim, Basha shtoi se rrënjët e së keqes ushqehen me vesin dhe krimin e pandëshkuar. “Sot Shkodrës dhe mbarë  Shqipërisë ia merr ajrin një shartesë, një mostër politike e cila është rritur  nga mungesa e vëmendjes, nga pandëshkueshmëria, nga indiferenca dhe tolerimi.

“Kjo mostër është qeveria me krimin që mbijeton edhe për shkak  se nuk i nxorëm siç duhet përgjegjësitë e 2 prillit 1991”, shtoi ai.

Më tej, Basha duke iu referua At Zef Pllumit tha se sot në Shkodër dhe të gjithë Shqipërinë është e ngjashme situata me vitin 1945. “Shqipëria e terrorizuar kishte rënë koma. Njerëzit e ditun nuk dinin ma kurrgjë dhe njerëzit e paditun kishin në dorë gjithçka që nuk dihej. Pra njerëzit e ditur s’dinin si të mbroheshin se të paditurit ishin gati të bënin gjithçka edhe ato që nuk merrej me mend e nuk thuhej akoma”, shkruante at Zef Pllumi. “Ky është realiteti i sotëm e na sjell në kujtesë se e vetmja gjë që i duhej të keqes e të ligut të triumfojë është indiferenca dhe mosaktivizimi i të drejtit dhe të diturit”, tha ai.

Në këtë 28 vjetor, sipas Bashës, nuk tingëllon kurrë më aktuale sakrifica e 2 Prillit sesa sot, “sepse asnjëherë nuk ka qenë më shumë e kërcënuar demokracia, liria për të zgjedhur me votë dhe për të  rrëzuar me votë qeverinë se sa sot”.

Basha theksoi se “protesta madhështore e shkodranëve dhe e gjithë shqiptarëve ka një përfundim, të njëjtin përfundim që pati protesta e 2 prillit dhe sakrifica e katër bijve më të mirë të Shkodrës, rrëzimin e diktaturës, triumfin e demokracisë, triumfin e  lirisë”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.