TIRANË, 2 prill /ATSH/- Grupet e Punës me ekspertët përkatës të ngritura në zbatim të Urdhrave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, po vijojnë procesin e skanimit të HEC–eve në terren dhe në zyrë.
Nëpërmjet formularit të skanimit, grupet e skanimit të HEC–eve kanë përcjellë informacionin e detajuar mbi përmbushjen e detyrimeve kontraktuale dhe ligjore të shoqërive që operojnë në fushën hidroenergjetike.
Në total numri i HEC-eve që zyrtarisht është depozituar edhe në MIE është rreth 89 HEC-e. Procesi i skanimit vazhdon.
Agjencia Kombëtare e Burimeve Njerëzore (AKBN) bën të ditur se, në bazë të Urdhrit të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë “Për verifikimin e zbatimit të kushteve të kontratave koncesionare dhe kontratave objekt i vendimit të Këshillit të Ministrave, nga burimet hidrike të energjisë”, në bazë të Urdhrit “Për ngritjen e grupeve të punës të cilët do të bëjnë skanimin e HEC-eve që janë ose jo objekt koncesioni”, dhe në vijim të Urdhrit të Drejtorit Ekzekutiv, Drejtoria e Monitorimit të HEC–eve, grupet e ekspertëve të linjës që prej datës 30.01.2019 janë angazhuar dhe po vijojnë procesin e skanimit të HEC–eve në terren.
