Turistë kosovarë e të huaj në majën e Gjallicës ku bukuritë natyrore të lënë pa frymë

TIRANË, 1 prill/ATSH-Klotilda Saraçini/- Maja e Gjallicës, 2489 m mbi nivelin e detit, e kthyer tashmë në një destinacion turistik zgjoi kureshtjen e 75 turistëve nga Kosova, Gjermania dhe Austria të pasionuar pas ngjitjes.

Tashmë vendet më të preferuara nga turistët janë edhe ato me terren malor, pasi janë të përshtatshme për të bërë turizëm eksplorimi dhe ngjitje, ku oferta në Shqipëri është e larmishme.

Grupi i “Shoqatës Bjeshkatare Alpiniste të Gjilanit” u ngjit të dielën drejt malit të Gjallicës, ku terreni është me vështirësi mesatare dhe gjatësia e shtegut është rreth 14 km në të dy drejtimet.

Ermal Hallaçi, drejtues i guidës turistike të qytetit të Kukësit, tha për ATSH-në se udhëtimi filloi në fshatin Brekij, një fshat i thellë në njësinë administrative Topojan. Udhëtimi filloi nga shkolla fillore në drejtim të Staneve të Kroit të Kuq, ku pushuan pak tek burimi “Kroi i Kuq”, vend i njohur për alpinistet dhe më pas morëm rrugën në majën e Gjallicës”.

Sipas tij, udhëtimi zgjati 8 orë vajtje ardhje dhe ngjitja ishte 5 orë, pasi ishte grupi përbëhej nga 70 alpinistë nga Kosova”.

“Kjo shoqatë ka zgjedhur për herë të dytë malin e Gjallicës, ishte një marshim tradicional pasi çdo fundjavë i kushtohet një mali”, thekson Hallaçi.

Një alpiniste nga Gjilani, por që jeton në Australi iu bashkua shoqatës së alpinistëve në këtë ngjitej bashkë me vajzën e saj 11-vjeçare, që ishte edhe më e vogla e grupit të alpinistëve.

“Ishte kënaqësi dhe ishte një nga ecjet më të mëdha që kam bërë. Jam shumë e kënaqur që kam me vete edhe vajzën time 11-vjeçare që është më e vogla e grupit”, u shpreh alpinistja.

Ndërsa vajza e saj u shpreh se i pëlqeu shumë udhëtimi.

Laura Firza, një tjetër alpiniste thekson se “ecja shkoi mjaft mirë dhe koha mbajti shumë mirë. Ishte paksa e vështirë, por ama ia dolëm. Pamja është fantastike. Liqeni i Fierzës është fantastik i parë nga këtu”.

Firza u bën gjithashtu apel të gjithëve të bashkohen në këto ecje në mal.

Fadil Rexhepi, 52 vjeç, nga Gjilani shprehet se “është hera e dytë që vij me shoqatën që ngjitem në Gjallicë. Hera e parë na la mbresa shumë të mira. Bjeshkët e Kukësit janë të rralla ndoshta edhe Alpet e Austrisë dhe të Zvicrës ku ti gjejnë këto bukuri. Shpresoj që edhe alpinistë të tjerë bashkë me shoqata bjeshkatare të vizitojë këto troje, male dhe bjeshkë”.

“Do të reklamojmë anembanë Kosovës se ka edhe shoqëri të tjera bjeshkatare që vijnë në Shqipëri”, tha Rexhepi.

Përveç Gjilanit, shtoi ai, do të na pëlqente të shkojmë edhe në Korab dhe jugun e Shqipërisë kemi në plan ta eksplorojmë, shumë shpejt do të shkojmë edhe atje.

Gjatë rrugës grupi i turistëve nga Kosova u ndesh edhe me 5 turistë të huaj, 2 nga Gjermania dhe 3 nga Austria.

Regina nga Gjermania thekson se “20 vjet më parë kam qenë në Kukës, së bashku me dy turistë të tjerë gjermanë dhe më pas u ktheva në Gjilan. Për herë të dytë në jetën time do të ngjitem në malin e Gjallicës”.

Një tjetër alpinist, 62 vjeç shprehet se “jam ngjitur në shumë male në Kosovë dhe Shqipëri. Maja më e lartë që jam ngjitur është Korabi, Gjeravica, etj.”.

Në grupin e alpinistëve bëjnë pjesë edhe disa të rinj.”Udhëtimi ishte pak i lodhshëm, por kaluam shumë mirë”, thonë ata.

Valon Haliti, 36 vjeç, i cili prej dy vitesh merret me alpinizëm thotë se “malin e Gjallicës po e vizitoj për herë të parë, është pamje mahnitëse në të gjitha stinët, është një sfidë shumë e mirë për mua. Jam ngjitur në malin e Korabit, në Shishtavec tek guri i Mëngjesit. Valbonën e kam vizituar dy herë, ndërsa në Kosovë jam ngjitur shpesh tek malet e Sharrit”.

Në malin e Gjallicës, edhe pse pranvera ka hyrë zyrtarisht ka ende dëborë dhe alpinistët shijuan gjatë kështu edhe diellin pranveror dhe bukuritë natyrore që të lënë pa frymë.

Para nisjes së tyre alpinistët të kryesuar nga kryetari i Shoqatës së Alpinistëve të Gjilanit,  Berat Isufi u pritën në takim nga prefektin e Kukësit, Zenel Kuçana.

Prefekti pasi i falënderoi alpinistët për promovimin që ata do t’i bëjnë vlerave turistike të Kukësit i nderoi me anëtarët e kësaj shoqate me një certifikatë mirënjohje.

Alpinisti nga Kosova Fadil Rexhepi falënderoi prefektin Kuçana për certifikatën e mirënjohjes.

Gjallica është mali më i lartë i rrethit të Kukësit, 2489 m mbi nivelin e detit i cili bën pjesë në vargun malor të Korabit dhe shtrihet në skajin verilindor të këtij vargu, midis pellgut të Kukësit në veriperëndim dhe pllajës së Shishtavecit në juglindje.

Në verilindje Gryka e Vanave e ndan nga mali i Koritnikut, kurse kanioni i Bicajt e quajtur ndryshe “Shkalle e Keqe” ku kalon dhe përroi i Shejës në jugperëndim e ndan nga mali i Kolesjanit. Pjesa kulmore formon një kreshtë të mprehtë, që bie pingul mbi Grykën e Vanave, kurse shpatet janë mjaft të pjerrëta duke formuar rrëpira të dukshme tektonike në gëlqerorët e pjesës së poshtme të tyre.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.