Punësim nëpërmjet Zyrave të Punës, realitet i prekshëm

TIRANË, 1 prill /ATSH/ – Zyrat e punës po rrisin çdo ditë numrin e të punësuarve, si për të rinjtë, por edhe moshat e mesme, nga jugu e deri në veri të vendit, duke u bërë kështu një realitet i prekshëm për të gjithë punëkërkuesit e regjistruar pranë këtyre zyrave.

Sfida e qeverisës për uljen e papunësisë po reflektohet drejtpërsëdrejti në rritjen e të punësuarve përmes Zyrave të Punësimit, që ndërhyjnë realisht për të nxitur dhe mbështetur krijimin e vendeve të reja të punës duke bashkëpunuar me punëdhënësit.

Shembull konkret i punësimit është edhe rasti i Danielës. Ajo iu drejtua zyrës së punës në Tiranë në një përpjekje të parë, e cila i siguroi një vend pune si edukatore në një kopsht privat, përgjatë një procesi ndërmjetësimi që zgjati vetëm një muaj.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, i bën apel të gjithë punëkërkuesve të mos hezitojnë, por të kontaktojnë pranë Zyrave të Punës në rajonet që jetojnë dhe të prekin realisht shansin e punësimit si asnjëherë më parë.

Modeli i qeverisës përmes programeve të punësimit nga Zyrat e Punës, është shembulli i suksesit, të një filozofie të re që nuk ka ndodhur më parë dhe po sfidon papunësinë në Shqipëri, duke e ulur këtë tregues në minimumin historik të vendit, por edhe në nivelin më të ulët në vendet e Ballkanit Perëndimor, prej 12%, siç shprehen edhe institucionet ndërkombëtare. /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.