Prezantohet prefekti i ri i Shkodrës, Lleshaj: Angazhim maksimal për sigurinë e qytetarëve

TIRANË, 1 prill/ATSH/ – Valdrin Pjetri ka marrë zyrtarisht detyrën e Prefektit të Shkodrës. Ish-drejtori i Përgjithshëm i Zyrës së Hipotekave, Pjetri ka marrë këtë të hënë detyrën e Prefektit të Shkodrës, pozicion që mbulohej nga Çesk Millja.

Gjatë prezantimit të Pjetrit prefekt i Shkodrës, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka theksuar se qytetarët duhet të bashkëpunojnë me institucionet ligjzbatuese për të përmirësuar sigurinë në Shkodër.

“Është një moment i rëndësishëm. Kam kënaqësinë të prezantoj prefektin e ri. Falënderoj dhe Milljan, për detyrën e kryer me profesionalizëm. Dhe në detyrën e re që do të marrë së shpejti, Millja do tregojë profesionalizëm”, tha Lleshaj.

“Pjetri merr një detyrë të rëndësishme, me përgjegjësi të madhe dhe sfida të shumta. Prefekti është nyja që lidh pushtetin qendror me pushtetin lokal. Prefekti ka si detyrë të lidhë dhe degët institucionale. Qytetarët e Shkodrës presin shumë nga prefekti i ri”, tha ministri Lleshaj.

Sipas tij, nga prefekti i ri pritet një angazhim edhe më i madh për koordinimin e punës mes pushtetit lokal e atij qendror, apo koordinimit të punës për institucionet e pushtetit qendror që shtrihen në zonën e mbuluar nga prefekti. Lleshaj shtoi se turizmi është një sfidë tjetër e Prefektit. “Numri i turistëve që vijon në rritje janë përgjegjësi dhe duhet angazhim maksimal për t’iu ofruar shërbimet dhe kushtet më të mira. Sfidë është dhe mbarëvajtja e zgjedhjeve lokale, që kërkon vëmendje dhe angazhim të lartë nga të gjitha institucionet që operojnë në qarkun Shkodër, e ku prefekti luan një rol të rëndësishëm”, tha Lleshaj.

“Qyteti i Shkodrës është sfiduar disa herë nga krimi, vijoi Lleshaj. Siguria dhe rendi kanë marrë goditje të forta nga krimi në Shkodër. Ky sulm është produkt i një krimi të organizuar që ka zënë rrënjë prej vitesh. Dhe kjo nuk i ka hije këtij qyteti, pasi Shkodra i ka dhënë Shqipërisë, artin, sportin, dhe mjaft vlera të tjera”.

“Është për të ardhur keq, tha Lleshaj, që duhet të ketë ngjarje të tilla kriminale. Ne jemi këtu me angazhimin më të madh për të dhënë sigurinë maksimale qytetarëve. Dhe drejtori i ri i policisë për qarkun e Shkodrës jam i sigurt se do bëjë maksimumin për të luftuar këto fenomene kriminale në këtë qytet. Prandaj dhe ftoj qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë për të goditur krimin e organizuar dhe atyre që cenojnë jetën normale të qytetarëve të këtij qarku”, tha Lleshaj.

Nga ana e saj, kryetarja e bashkisë së Shkodrës gjatë prezantimit të Valdrin Pjetrit si prefekt i Rrethit Shkodër, u shpreh se situata në qytetin veriperëndimor nuk është më e mira. “Situata në të cilën prefekti emërohet nuk është e mirë. Ngjarjet e fundit janë bërë problematike. Nuk është vetëm Shkodra, është fatkeqësi për qytetin tonë. Qytetarët e Shkodrës janë qytetarë shumë të mirë, e duan shumë qytetin e tyre dhe duan të jetojnë këtu. Ne kemi marrë përgjegjësi që duhet t’i çojmë deri në fund me seriozitetin që i takon”, tha Ademi.

“Fakti që kemi disa vrasje, asnjë nuk është zbuluar deri më tani, nuk janë bërë veprime me parandaluar, dhe ky është shqetësimi më i madh. Mos t’i lëmë të hanë kokat e tyre, por duhet të bëjmë të mundur të parandalojmë me sa fuqi të kemi, policia duhet ta gjejë mënyrën, dhe ta bëjmë atë të mundur”, tha kryebashkiakja Ademi, e cila tha se nëse nuk ndërhyhet, vështirë se do të ndalen vetë.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.