TIRANË, 1 prill /ATSH/ – Policimi në komunitet mund të përdoret si mjet për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çon në terrorizëm. Policia, komuniteti dhe shoqëria civile mund të bashkëpunojnë ngushtë në hartimin dhe implementimin e programeve në këtë fushë
Duke filluar nga sot, në Akademinë e Sigurisë në Tiranë, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, OSBE/ODIHR-i dhe Departamenti i Kërcënimeve Transnacionale i Sekretariatit të OSBE-së në Vjenë bashkuan forcat për të organizuar një kurs treditor me shefat e policimit në komunitet dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile nga qytete të ndryshme të vendit.
Trajnimi do të mundësojë oficerët e policimit në komunitet të forcojnë besimin në komunitet dhe të krijojnë kontakte dhe rrjete me komunitetet e tyre përkatëse. Trajnimi ka për qëllim gjithashtu t’i përgatisë oficerët të punojnë me çështje të parandalimit, si edhe të mësojnë më tepër rreth shenjave paraprake dhe mesazheve të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çojnë në ekstremizëm.
Në fjalën hapjes, ambasadori Borchardt theksoi se, “oficerët e policimit në komunitet nuk mund të jenë të suksesshëm në krijimin e partneriteteve për të adresuar ekstremizmin e dhunshëm pa ndërtuar më parë marrëdhënie besimi me komunitetet ku shërbejnë. Pasi policia të ndërtojë besim duke adresuar shqetësimet e tjera të sigurisë publike të komuniteteve, bëhet shumë më i lehtë trajtimi i çështjeve si ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi”.
Kursi është pjesë e përpjekjeve të vijueshme të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe partnerëve të saj për të ndihmuar qeverinë shqiptare për të parandaluar dhe kundërshtuar në mënyrë efikase dhe novatore përhapjen e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çon në terrorizëm.
/gj.mima/
