“Njerëz të padukshëm” sjell historinë e dy 18-vjeçarëve që krijuan syzet për të verbrit

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/553849025127984/

TIRANË, 1 prill/ATSH/ “Njerëz të padukshëm” sjell sot historinë inkurajuese të dy të rinjve nga Lezha, të cilët kanë prodhuar prototipin e parë të syzeve në ndihmë të të verbërve.

Arielini dhe Driloni, dy 18-vjeçarët nga Lezha, ndryshe nga të gjithë bashkëmoshatarët e tyre fundjavat kanë zgjedhur t’i kalojnë pranë Tech Space, një ambient ku u ofrohet çdo kusht për të zhvilluar idetë e tyre novatore.

Jo vetëm sytë mund të shohin… Me këtë moto ata vendosën të krijojnë syzet për të verbrit, një ide që mori shtysë pasi takuan një të verbër.

Padyshim që e konsideruan të vështirë, por jo të paarritshme realizimin e idesë së tyre, një risi teknologjike.

“Syzet për të verbrit do t’i mundësojë atyre të ecin pa patur nevojën e ndihmës së dikujt tjetër. Do të kenë mundësi të kontrollohen në distancë nga një i afërm, i cili mund të lidhet direkt përmes një kamere që ndodhet e implementuar në syze. Do të ketë edhe GPS që do t’i tregojë se ku dhe sa do të ecë”, thanë ata, duke shprehur bindjen se nuk eksiston një prototip i tillë në Shqipëri dhe Ballkan.

Prototipi ka sensorin që nuk lejon që personi me aftësi ndryshe, i verbër, të përplaset me një pengesë përpara.

Të rinjtë thanë se me kalimin e kohës do të punojnë edhe për krijimin e prototipit të shkopit, dy pajisje që do të ndërthuren bashkë, ku syzet shikojnë horizontin përpara, ndërsa shkopi terrenin poshtë./m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.