Interesi i tregjeve të reja për turizmin shqiptar

TIRANË, 1 prill /ATSH/ – Numrit në rritje të turistëve nga vende të ndryshme të Europës si Anglia, Franca, Zvicra, Gjermania, Polonia vitet e fundit, po shihet me një interes në rritje edhe nga qytetarë të vendeve Balltike.

Përfaqësuesit e agjencive turistike shprehen se, turistët nga Estonia, Letonia dhe Lituania do të jenë vizitorët më të shumtë të këtij sezoni turistik në vendin tonë, sipas numrit të charterave që janë programuar të vijnë në Shqipëri.

Turistët nga vendet nordike, shprehen agjentët turistikë, vijojnë të jenë vizitorë të prenotuar tashmë për të disatin vit me radhë. Ndërsa kryesojnë turistët nga Polonia, gjermanët dhe zviceranët.

Sipas tyre, moti i ngrohtë po favorizon prurjet e turistëve më përpara sezonit, çka pritet që fluksi i tyre të jetë shumë më i lartë për periudhën në vijim.

Sipas INSTAT, vitin e kaluar numri i turistëve që vizituan vendin tonë shënoi një rekord me rreth 6 milionë turistë.

/e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.