Gjonaj: Studentët ekselentë do të kontribuojnë në sistemin e ri të drejtësisë

TIRANË, 1 prill/ATSH/ – Gjatë bashkëbisedimit me studentë dhe pedagogë mbi ecurinë e Paktit për Universitetin, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj theksoi se krijimi i praktikave për studentët do të ishte në shërbim të këtyre të fundit, pasi ata mund të japin kontributin e tyre edhe në zbatimin e Reformës në Drejtësi.

“Kemi patur praktika të studentëve në Ministrinë e Drejtësisë, por ajo çfarë na ka munguar ishte që nuk ishte institucionalizuar me një mekanizëm, i cili shërben për ta ndjekur nga të dyja institucionet. Është e rëndësishme që studentët të angazhohen për të patur dyer të hapura, për të pasur një bashkëpunim të përbashkët i cili në fund të fundit do të na shërbejë për një qëllim. Me zbatimin e Reformës në Drejtësi interesi është shumë i madh për të pasur sa më pranë dijet e pedagogëve dhe studentëve, por njëkohësisht edhe për t’i sprovuar studentët edhe në praktikë, me qëllim që ata të kontribuojnë në sistemin e ri të drejtësisë”, – theksoi Gjonaj.

Gjonaj u ndal edhe te pranimet në Shkollën e Magjistraturës dhe rritjen e kuotave të pranimit, duke vendosur theksin te kriteri i krijimit të praktikës mësimore, ku pa të cilën nuk mund të bëhesh pjesë e kësaj trupe.

“Duam që të instrumentalizojnë që studentët të bëjnë praktika në Ministrinë e Drejtësisë dhe agjencitë e varësisë së saj. Kemi patur praktika të studentëve në Ministrinë e Drejtësisë, por ajo çfarë na ka munguar ishte që nuk ishte institucionalizuar me një mekanizëm, i cili shërben për ta ndjekur nga të dyja institucionet. Sot sistemi hap një sërë dyersh për shkak të hapjes së numrit të magjistratëve, ku nga 25 që ka qenë numri, tashmë ka shkuar 75 dhe kjo është një hapësirë shumë e mirë për ata që aspirojnë që të bëhen gjyqtarë dhe prokurorë. Por me ndryshimet ligjore një kandidat për gjyqtar dhe prokuror duhet të kalojë një eksperiencë pune në Administratë, dhe pa ushtrimin e saj kjo gjë është e pamundur”, – theksoi ministrja Gjonaj.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.