Gjonaj: Kërkimi shkencor të shfrytëzohet për të përmirësuar legjislacionin

TIRANË, 1 prill/ATSH/ – Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë bashkëbisedimit me studentë dhe pedagogë në qendrën COD, u shpreh se kërkimi shkencor mund të shfrytëzohet për të përmirësuar legjislacionin shqiptar. Në takimin që u zhvillua në kuadër të Paktit për Universitetin, Gjonaj theksoi se edhe për kërkimin shkencor kërkohen persona profesionistë.

“Kemi nevojë për profesionalizëm dhe për kërkimin shkencor. Sot ministritë me kapacitet që kanë të burimeve njerëzore e kanë të vështirë që ta bëjnë atë, për më tepër kur kërkimi shkencor është shumë natyrshëm pranë Fakultetit të Drejtësisë, përse të mos shfrytëzohen kapacitetet dhe punën kërkimore shkencore që bën trupa pedagogjike, në bashkëpunim me studentët, që t’i hyjnë në shërbim ministrisë, qeverisë dhe të gjitha iniciativave ligjore që ne marrim. Ministria e Drejtësisë në bazë të prioriteteve që kanë të bëjnë me zbatimin e Reformës në Drejtësi, apo në luftën ndaj korrupsionit dhe përmirësimin e shërbimeve sidomos të pushteteve të deleguara të profesioneve të lira, të jetë ky bashkëpunim dhe kërkimi shkencor të shfrytëzohet për të përmirësuar legjislacionin. Ne kemi nevojë për mendjen dhe punën e pedagogëve dhe studentëve”, – theksoi Gjonaj.

Ministrja u ndal edhe te 44 studentët ekselentë të cilët janë punësuar deri tani në Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet e varësisë, të cilët do të marrin eksperiencën e duhur për të vijuar rrugëtimin e tyre në rrugën e Drejtësisë.

“Një praktikë dhe një provë shumë të rëndësishme e dhamë me punësimin e ekselentëve, të cilët do të jenë për një periudhë 1-vjeçare pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të varësisë. Janë 44 studentë të ekselencës të cilët janë punësuar vetëm në thirrjen e parë, kjo do të thotë që një pjesë e tyre do të punojnë në aparatin e Ministrisë së Drejtësië dhe një pjesë tjetër në institucionet e varësisë, për të marrë praktikën e punës që u nevojitet për të kontribuar më pas, ose nëpërmjet kandidimit në Shkollën e Magjistraturës, ose në fusha të tjera”, – theksoi Gjonaj. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.