“Gurra Folk Fest”, të rinjtë vlonjatë e sarandiotë promovim trashëgimisë kulturore dhe folklorike

TIRANË, 31 mars/ATSH/- Të rinjtë pjesëmarrës në festivalin “Gurra Folk Fest”, të zhvilluar në Sarandë dhe Vlorë përmes prurjeve, interpretimeve të këngëve dhe valleve tradicionale e burimore nga të gjitha trevat jugore, treguan edhe një herë se dashuria për artin dhe kulturën tradicionale të popullit jo vetëm që ekziston, por edhe mbetet përherë vitale.

Ky aktivitet u ideua dhe realizua nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare- Vlorë me shkollat e mesme të Qarkut, në kuadër të Memorandumit në fushën e Edukimit Kulturor dhe Trashëgimisë Kulturore midis Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Kulturës.

Në këtë festival morën pjesë mbi 20 shkolla të mesme, me rreth 300 nxënës që performojnë. Mes një atmosfere fantastike nxënësit shpalosën talentin e tyre në këngë dhe valle folklorike.

Në natën finale të festivalit juria përzgjodhi edhe interpretimet më të mira ku për grupe të veçantë u akorduan edhe çmime e diploma, të cilat shkuan për shkollat “Jani Minga”, “Ali Demi”, Tregëtare, Industriale, “Naim Frashëri” e Vllahinë të Vlorës si dhe Delvinë, Konispol e Livadhja në Sarandë.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Vlorë, Orgest Feimi, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për performancat e shkëlqyera dhe vlerat që sollën në edicionin e III të “Gurra Folk Fest “- 2019.

Pas realizimit me sukses të dy edicioneve të para, festivali i këtij viti pati si risi pjesëmarrjen vetëm të nxënësve të shkollave të mesme mbështetur në një platformë të posaçme për të prurë në skenë trashëgiminë e drejtpërdrejtë shpirtërore përmes këngës e valles popullore si dhe asaj qytetare.

Njohja, interpretimi dhe promovimi nga të rinjtë i këngës dhe valles popullore tradicionale tregon se kjo mbetet një pasuri e vyer shpirtërore që vjen nga brezat dhe përcillet në breza.

Gjithashtu edhe njohja e etnografisë së trevave të qarkut dhe më gjerë, përmes kostumeve tradicionale, mbetet një vlerë e shtuar e trashëgimisë tonë kulturore.

Ky aktivitet i madh folku tregoi edhe një herë për misionin e madh që ka edukimi i të rinjve krahas librit edhe kulturës, siç ka vendin e vet jo pak të rëndësishëm edhe trashëgimia kulturore shpirtërore./k.s/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.