FOTO/ Kruja – qyteti që jeton në dy kohë, tërësisht i transformuar

TIRANË, 31 mars/ATSH/- Qendra e Krujës është transformuar rrënjësisht, duke u kthyer në një hapësirë për 83.000 banorët e kësaj bashkie dhe turistët e shumtë.

Rikualifikimi urban i sheshit “Gjergj Kastriot Skënderbeu” në Krujë, një investim në kuadër të programit të Rilindjes Urbane, me vlerë 490 milionë lekë, përfshiu zgjerimin, asfaltimin, ndriçimin LED të rrugës kryesore, rrugës “Donika Kastrioti”, rikualifikimin e sheshit “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, kthimin në pedonale të sheshit “Mustafa Kruja”, ndërtimin e parkimit nëntokësor, si dhe ndërtimin e këndit të lojërave.

Elementët kryesor të kësaj pune është punimi i qendrës me gurë natyralë e të gdhendur të zonës së Krujës, gjelbërimin e sheshit “Mustafa Merlika”, duke e kthyer nga një zonë e zhurmshme parkimi, në një pedonale me një sipërfaqe 3000 m2.

Ndërkohë sheshi “Gjergj Kastriot Skënderbeu” u kthye nga rrugë me gropa, në një hapësirë në gurë, të zbukuruar nga vazot e varura në mure dhe ullinj, kjo traditë 500-vjeçare.

Tjetër detaj është ndriçimi i zgjedhur me shumë kujdes, i trotuareve në qendër. Traditës nuk mund ti mungonte, ndërtimi i një pusi dhe krahët e shqiponjës në monumentin e Skënderbeut.

Ky investim i shërben banorëve të bashkisë Krujë, të cilët tashmë kanë një qendër të re, tre hapësira publike, kënd lojërash, hapësira për parkimin e mjeteve dhe për më tepër e bën qytetin më mikpritës për mijëra vizitorë, të cilët zgjedhin Krujën si qendër të turizmit kulturor.

Simbol i qytetit të Krujës është kalaja e lashtë e Skënderbeut, me rrënjë të thella në histori. Dokumentet e datojnë Krujën si vendbanim qysh në shekullin IV–III p.e.s. Kalaja, në vetvete, ka një trajtë epilektike, zë një sipërfaqe prej 2 hektarë e gjysëm dhe ngrihet mbi një kodër shkëmbore.

E ndodhur 32 km larg Tiranës, pa dyshim mund të quhet aktraksioni më i madh turistik në Shqipëri, si për të huajt, ashtu edhe për vizitorët vendas. Çdo ditë pret vizitorë të shumtë në numër, të cilët shijojnë një rikthim në epokën mesjetare mes mureve të kalasë dhe rrugicave me gurë, pamjen mahnitëse që të shfaqet, muzeumet e historisë dhe traditës. E pa harruar Pazarin e famshëm, ku asnjë nuk i shpëton tundimit për të blerë sende dhe objekte të vjetra, që vetëm aty mund t’i gjesh./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.