Fabrika në Kavajë që eksporton nga Europa në Zelandën e Re

TIRANË, 31 mars/ATSH/- Rritja e cilësisë së produkteve shqiptare nëpërmjet standardizimit me kërkesat e tregjeve më të zhvilluara europiane, duke i bërë ato gjithnjë e më konkurruese, është në fokus të politikave mbështetëse të qeverisë për bujqësinë.

Një prej fabrikave që ka përfituar së fundmi nga Fondi i Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural plot 10 milionë lekë të reja, “Dupi Frut”, arrin sot të eksportojë deri në tregjet holandeze, angleze e gjermane vetëm duke sofistikuar teknologjinë e përpunimit të produktit më të cilin ajo prezantohet më suksesshëm, hudhrës.

Kryeministri Rama vizitoi nga afër ambientet e kësaj fabrike në Kavajë, e cila administrohet nga vëllezërit Dupi, të cilët e nisën rrugëtimin e tyre pas kthimit nga emigracioni në vitin 2000, ndërsa sot “Dupi Frut” është shndërruar në një prodhues me standarde të larta në fushën e agropërpunimit.

“Është e mbështetur nga AZHBR-ja, me një investim të linjës së përpunimit të tharjes dhe kompresorin e zhveshjes, prej 10 milion lekësh të reja. E gjithë fabrika është e certifikuar me standardet europiane,” thotë drejtuesja e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca.

“Falë jush dhe Ministrisë që na ka ndihmuar kemi arritur që të rrisim kapacitetin e prodhimit nga 200 kg, që kam pas me këtë makineri që e kisha blerë në Kinë, të shkoj në 2 ton në vit,” shpjegon një prej vëllezërve Dupi.

Produkti i përpunuar i “Dupi Frut” eksportohet në Holandë, ku vetëm kërkesa e fundit ishte 600 ton, prodhim i kategorisë së parë, në Angli, Gjermani e deri në Zelandë të Re, ndërsa mbulon edhe tregun vendas, kryesisht Divjakën, Tiranën dhe Kavajën.

“Fakti që këta kanë çarë tregun holandez, që është me siklete të jashtëzakonshme nga pikëpamja e standardeve, është niveli më i lartë,” shprehet Kryeministri Rama.

Ai konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e plotë të qeverisë në drejtim të shtimit të kapaciteteve prodhuese dhe agropërpunuese.

“Fuqizimi juaj është shtim i kapaciteteve prodhuese të atyre që kanë nga 2 dynym dhe nuk është nevoja me bashku tokat në mënyrë mekanike, por me i bashku me interes, që, shkoni, bëni kontratat, secili bën punën te pjesa vet, me të njëjtën farë, me të njëjtën teknologji, me të njëjtat kushte, etj., etj.. Kjo është bujqësia që duam ne, se ajo bujqësia tjetër me shpërnda lekë kot, hidh lekë gjithandej dhe kur vinte puna në fund asnjë s’ishte i kënaqur e të gjithë vetëm mbijetojnë, nuk funksionon. Kështu që ne do ju mbështesim shumë fort. E kemi objektiv, jo vetëm eksportin e prodhimeve të freskëta, apo të përpunuara në këtë nivel, por edhe agropërpunimin këtu,” deklaroi Kryeministri Rama.

“Dupi Frut” aktualisht ka rreth 30 punëtorë dhe në varësi të kërkesës pritet të shtojë numrin e të punësuarve në 100 vetë. Shoqëria ka në zotërim 40 ha tokë të marra me qira, të mbjella me perime, vreshta dhe sera me domate qershi.

Produkti është i certifikuar sipas standardeve ndërkombëtare dhe kombëtare./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.