Raporti i DASH, Cakaj: Pasqyrë e momentit pozitiv ku ndodhet vendi

TIRANË, 30 mars/ATSH-Maela Marini/ Raporti i DASH për strategjinë ndërkombëtare në luftën kundër narkotikëve është pasqyrë e momentit pozitiv të një Shqipërie në zhvillim e sipër.

Kështu deklaroi sot ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj i cili komentoi sot raportin e Departamentit të Shtetit për vitin 2018 për strategjinë ndërkombëtare në luftën kundër narkotikëve.

Raporti, vlerësoi Cakaj, është skajshmërisht inkurajues për reformat që po ndodhin në Shqipëri.

“Raporti nënvizon bashkëpunimin e qëndrueshëm mes SHBA-së dhe Shqipërisë që është duke u përkthyer në rritje të kapaciteteve institucioneve për të luftuar korrupsionin. Raporti thekson faktin se Shqipëria ka arritur rezultate thelbësore në luftën kundër narkotikëve, si dhe kemi të bëjmë me përparim drejt axhendës europiane të Shqipërisë”, tha Cakaj.

Raporti, sipas Cakajt nënvizon se sekuestrimi i sasive të drogës dhe arrestimet gjatë vitit  2018, në bashkëpunim me ndërkombëtarët janë domethënëse.

“Raporti vlerëson se në 2018 ka rezultate domethënëse në arrestime dhe në luftën ndaj fenomenit të kanabisit dhe institucionet ligjzbatuese të Shqipërisë janë të angazhuara kundër qarkullimit të narkotikëve”, tha Cakaj.

Cakaj nënvizoi po ashtu se raporti konfirmon se ka një rritje të sigurisë ndërkufitare. “Që korrupsioni është ekzistent kjo është e vërtetë e pamohueshme, por kjo nuk do të thotë se në mënyrë të verbër duhet të dorëzohemi para akuzave të pabaza”, tha Cakaj.

Po ashtu, sipas Cakajt, raporti nënvizon momentin pozitiv sa i takon reformës në drejtësi.

“Shqipëria po lëviz drejt reformës në drejtësi për të hetuar dhe dënuar edhe krimin e trafikut të drogës. Raporti nënvizon se Shqipëria vazhdon reformën në drejtësi”, tha Cakaj.

Sipas tij ndërkombëtarët kanë vlerësuar se “modeli i reformës në drejtësi i Shqipërisë është një model që duhet eksportuar në rajon”. a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.