Shqipëria merr në prill drejtimin e Komitetit të Inteligjencës në NATO

TIRANË, 29 mars/ATSH-Arbi Fortuzi/ – Shqipëria festoi të premten 10-vjetorin e anëtarësimit në NATO, ndërsa në sheshin ‘Nënë Tereza’ në kryeqytet u zhvilluan disa aktivitete, ku morën pjesë përfaqësues të 29 vendeve anëtare.

Ermonela Felaj, Deputete e Partisë Socialiste dhe njëherazi, Kryetare e Komisionit për Sigurinë Kombëtare në kuvendin e Shqipërisë, gjatë një prononcimi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, u shpreh se kjo është ditë e rëndësishme për vendin tonë. Ajo tha se baza e Kuçovës tregon se vendi ynë ka treguar se është partnere e denjë e aleancës së atlantikut të veriut. “Padyshim që kjo datë është e rëndësishme. Nuk është një ditëlindje e vogël, por një ditëlindje e madhe. Nuk janë pak, janë dhjetë vite. Kemi përfituar shumë nga kjo aleance, por dhe kemi dhënë një kontribut të rëndësishëm. Në prill të këtij viti ne marrim komitetin e inteligjencës së NATO-s, që nuk është pak. Edhe më herët kemi kontribuar si ushtarakisht, ashtu dhe në inteligjencë, duke treguar që meritojmë pjesëmarrjen në këtë aleancë dhe meritojmë mbështetjen nga të gjithë faktorët e Aleancës së NATO-s”, tha Felaj.

“Baza e NATO-s në Kuçovë është diçka e madhe, jo vetëm për Kuçovën, por për të gjithë vendin. Fakti që ne vlerësohemi seriozisht duke pasur një pjesëmarrje aktive të NATO-s  përmes një baze ajrore siç është ajo e Kuçovës tregon se kemi besimin e plotë dhe jemi anëtarë të denjë të kësaj aleance. Për Kuçovën, kjo bazë do të thotë zhvillim ekonomik, punësim më i mirë”, tha Felaj për ATSH.

Deputeti i PS, Xhemal Qefalia, gjatë një prononcimi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare e cilësoi një festë përvjetorin e 10 të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. “Është një ditë feste për të gjithë shqiptarët, për të gjithë ato që kanë aspiruar ndër vite për ta parë Shqipërinë në NATO. Jemi më krenarë se kurrë ta shohim ushtrinë shqiptare në krah të NATO-s, jo vetëm si formacion rreshtuar, por edhe në standardet dhe armatimin, si dhe  në ngritje profesionale që po krijon ushtria shqiptare”, tha Qefalia.

“Pozicioni gjeografik është i Shqipërisë është i rëndësishëm për aleatët, që duan të hapin një bazë ajrore në Kuçovë, që tregon seriozitetin dhe partneritetin që ka kjo organizatë ndaj vendit tonë”, tha Qefalia. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.