QSUT, 427 pacientë përfituan ndërhyrjen në sy dhe lentet falas

TIRANË, 29 mars/ATSH/- Një tjetër shërbim falas i është shtuar listës së shërbimeve pa pagesë që garanton qeveria shqiptare në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, vendosja e lentes, ose e kataraktit, e cila deri dje i kushtonte çdo qytetari që kishte nevojë për këtë shërbim, 700 dollarë.

“Nga muaji janar 427 pacientë kanë përfituar ndërhyrjen në sy dhe lentet falas. Në këtë mënyrë ulim shpenzimet nga xhepi, zgjerojmë shërbimet shëndetësore pa pagesë për qytetarët”, bën të ditur ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Një pacient thotë se “është një punë e mirë e kësaj qeverie, jo vetëm unë po edhe pacientët e tjerë që jemi këtu e bëmë falas”.

Një qytetar shprehet se sollëm babain për lentet e syrit, shërbimi u krye komplet falas, pas asnjë lloj detyrimi.

“Pasi hyra në operacion vura dhe lenten. Më parë shkonin të afërmit në farmaci, më duket se kushtonte 250 mijë lekë, ndërsa tani nuk e paguan”, thotë një tjetër pacient.

Ndërsa një tjetër qytetar thekson se “kam sjellë babin ka bërë operacion syrin, çdo gjë falas”.

Një tjetër pacient tha se “falënderoj qeverinë, pasi ka bërë këtë shërbim falas. Nuk më ka marrë njeri asnjë lek”.

Më herët ministrja Manastriliu është shprehur se ndërhyrja e kataraktit, ose vendosja e lentes do të ofrohet për më shumë se 2000 pacientë në vit, gjithashtu dhe në spitalet rajonale. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.