Ahmetaj: Rritja ekonomike 4% në 2018, 2.84% konsumi i popullatës

TIRANË, 29 mars/ATSH/- “Ekonomia që shpërblen! Rritja ekonomike në vitin 2018, konfirmohet mbi 4%. Katër herë më shumë nga niveli modest prej 1% ku e nisëm në 2013”, deklaroi sot Arben Ahmetaj, kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat në Kuvend.

Ahmetaj thekson se “konsumi dhe investimet, mbeten gjeneratorët kryesorë të rritjes ekonomike, edhe në reflektim të rritjes së besimit në ekonominë shqiptare, falë reformave që ndërmorëm në vite dhe konsolidimit të duhur fiskal”.

“Në tremujorin e fundit 2018 ekonomia u rrit me 3.10% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 0.57% më shumë se tremujori paraardhës. Kontributin kryesor e kanë dhënë industria, tregtia me pakicë, aktiviteti financiar etj”, – nënvizoi Ahmetaj.

Kreu i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Ahmetaj shprehet se “lajmi tjetër i mirë është vazhdimi i rritjes së konsumit final të popullatës, me 2.84% në terma vjetorë dhe investimeve me nje rritje 1.87%. Sfida është ende aty; ruajtja e ritmit të reformave dhe vazhdimi i konsolidimit fiskal”./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.