TAJLANDË – Nëntë të arrestuar për fake news

BANGKOK, 28 mars /ATSH-AFP/ – Nëntë tajlandezë janë arrestuar pasi akuzohen të kenë shpërndarë fake news në rrjetet sociale, ndërkohë që kureshtja është gjithmonë në rritje ndërsa afrohet publikimi i rezultateve të zgjedhjeve legjislative të së dielës.

Këta nëntë përdorues të internetit akuzohen të kenë shpërndarë në Facebook informacione të rreme mbi shkarkimin e dy anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për numërimin e 600 000 fletëve të pavlefshme.

”Ata kanë deklaruar se nuk e dinin që bëhej fjale për fake news”, deklaroi Siriwat Deephor, zëdhënës i policisë.

Ata rrezikojnë deri në pesë vite burg, në bazë të ligjit shumë të diskutuar për krimet elektronike.

Mungesa e rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shumë ditë pas zgjedhjeve legjislative të 24 marsit, po nervozon zgjedhësit dhe partitë politike.

Deri tani janë publikuar vetëm rezultatet e pjesshme, ato përfundimtaret duhet të publikohen deri më 9 maj./ /esko/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.