Marrëveshja Shqipëri-Mali i Zi, Gjylameti: Katalizator i zhvillimit ekonomik për zonat kufitare

TIRANË, 28 mars /ATSH – I. Vata/ – “Përmes miratimit të marrëveshjes përmes Shqipërisë-Malit të zi dhe Komisionit Europian do të përfitojnë 749 mijë banorë, si dhe i hapet rruga zhvillimit rajonal”, tha deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, në fjalën e mbajtur në Kuvend ku u diskutua marrëveshja e financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Malit të Zi dhe Komisionit Europian.

Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti tha se nisma që ndërmarrim është e një rëndësie të veçantë, veçanërisht për disa nga rajone veriperëndimore të vendit tonë për zhvillimin jo vetëm të infrastrukturës, por për impaktin që kanë në ekonominë lokale dhe kombëtare.

“Ne sot u hapim rrugën një sërë projekteve të rëndësishme që do të jenë katalizator të zhvillimit ekonomik, social të zonave ndërkufitare si dhe të rrisin bashkëpunimin mes dy vendeve. Shkodra Lezha dhe Tropoja janë tri zona që do të kenë përfitim të drejtpërdrejtë nga kjo marrëveshje, po ashtu dhe zonat matanë kufirit me Shqipërinë. Ne sot i hapim rrugë zhvillimit të qëndrueshëm të rajonit duke nxitur turizmin si dhe mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të këtyre zonave”, tha ajo.

Më tej, Gjylameti shtoi se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë potenciale të jashtëzakonshme të cilat do të kenë edhe një harmonizim të politikave ndërmjet dy vendeve dhe do të kenë një katalizator të rëndësishëm për të çuar më tej zhvillimin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve, këtej dhe matanë kufirit.

“Programi i bashkëpunimit ka reflektuar rëndësinë që Bashkimi Europian iu kushton çështjeve të tilla si krijimi i partneriteteve kufitare, autorësia vendore, mundësive të barabarta, garantimi dhe mos diskriminimi i minoriteteve dhe kategorive të cenueshme, si dhe pjesëmarrje në organizata të shoqërisë civile, mbrojtje të mjedisit dhe të drejtave gjinore”, tha ajo.

Më tej Gjylameti tha se “do të cilësoja të një rëndësie të veçantë promovimin e përbashkët të dy pasurive të vendeve, si dhe krijimin e politikave të harmonizuara në mbrojtje të mjedisit dhe të zhvillimit rajonal të kapaciteteve turistike, duke shfrytëzuar bukuritë tona përrallore, si edhe me qëllimin për rritjen e kapaciteteve për të pritur më shumë turistë. Afërsia gjeografike, struktura ekonomike e ngjashme që kanë dy vendet tona mund të kontribuojnë shumë për lidhshmërinë e fuqishme të dy ekonomive”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.