Margariti: Vlora ofron mundësi të shumta për turizmin kulturor

TIRANË, 28 mars /ATSH/ – Turistët gjatë sezonit turistik nuk kanë mundësi zgjedhjeje vetëm bregdetin në Jug. Vlora ofron mundësi të shumta për turizmin kulturor. Për këtë ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka zhvilluar një takim me operatorët turistikë të qytetit bregdetar.

Një nga kërkesat e saj ishte që turizmi kulturor të promovohet më shumë, sepse Vlora ka monumente dhe potenciale të rëndësishme.

”Është shumë e rëndësishme, që turistët që vijnë në Vlorë në fundjavë, të kenë mundësi që të rrinë më tepër se një ditë. Këtë gjë mund që t’ua ofroni jo vetëm nëpërmjet turizmit bregdetar, por edhe turizmit kulturor”, tha Margariti.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë Rajonale Kombëtare të Kulturës, Orgest Feimi kërkoi më shumë bashkëpunim mes operatorëve turistikë, për evidentimin e zonave historike dhe kulturore të Vlorës.

“Ne kemi krijuar një aplikacion, që mund të shkarkohet lehtësisht për të parë të gjitha monumentet e kulturës, që përfshihen në zonën e Vlorës”, shprehet Feimi.

Në fund të turit të saj, ministrja e Kulturës vizitoi nga afër edhe muret e Xhamisë së Tabakëve në Vlorë, një nga zbulimet e fundit arkeologjike në këtë qytet. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.