Lufta ndaj kanabisit, finalizohet operacioni ‘Miloti” në Kurbin

TIRANË, 28 mars/ATSH/- Policia e Kurbinit ka finalizuar me sukses operacionin “Miloti”, në kuadër të kontrolleve të shtuara për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Sipas njoftimit të Policisë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e Veprimit për marrjen e masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike që në embrion, forcat policore të Komisariatit të Policisë Kurbin në bashkëpunim me ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, kanë vijuar kontrollet në të gjithë territorin duke bashkëpunuar me të gjithë aktorët e tjerë që i ngarkon ligji, dhe në mënyrë të veçantë me aleatin më kryesor të Policisë, me qytetarët.

Policia e Kurbinit pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe punës hetimore të bërë si dhe kontrolleve të imtësishme të kryera për këtë qëllim, bëri të  mundur  gjetjen dhe shkatërrimin e një miniserre në territorin e banesës së shtetasit F.H në Milot, në të cilën ishin mbjellë 295 fara kanabisi në kubikë.

Në këtë kuadër, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit F.H. 50 vjeç, banues në Milot, si kultivues i tyre. Policia e Kurbinit në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj vepre penale, për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale të tentativës për kultivim të bimëve narkotike. /a.f//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.